Ministrja Nagavci merr pjesë në orën mësimore shqip në Suedi

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka marrë sot pjesë në orën ku mësimi realizohet në gjuhën shqipe, në qytetin Ängelholn të Suedisë.
Atje, Nagavci u prit nga mësuesi Xhevat Isufi, i cili mban mësim në shkollën Rebbelbegaskolan.

“Është ndjenjë e papërshkruar të shohësh te këta fëmijë dëshirën për të mësuar gjuhën amtare, vullnet i bartur edhe nga prindërit i tyre. Gjatë kësaj vizite takova edhe drejtoreshën e shkollës Mara Hidestal e cila më informoi se si shkollë, e kanë shumë të rëndësishme mbarëvajtjen e procesit mësimor në gjuhën shqipe. Mërgata jonë në Suedi është me fat, pasi mësimi plotësues shqip këtu, pas Finlandës, është më mirë i organizuar krahasuar me të gjitha vendet tjera ku mbahet mësimi shqip” ka shkruar Nagavci në Facebook.

Ajo njoftoi gjithashtu se në sistemin arsimor të Suedisë, prej arsimit parashkollor e deri në shkollimin e mesëm, janë të përfshirë rreth 9 mijë nxënës shqiptarë, ose 60 për qind e fëmijëve shqiptarë dhe 158 mësues.
“Qëllimi kryesor i mësimit të gjuhës amtare, është ruajtja e identitetit dhe integrimi sa më i shpejtë dhe i mirë në vendet pritëse. Duke e njohur mirë gjuhën amtare, edhe rezultatet në gjuhët tjera e në mësim janë më të larta” përfundoi e para e MAShTI-t.
