13:21 / E Hënë, 20 Qershor 2022 / MSH

Ministrja Nagavci për marrëveshjen e arsimit mes Kosovës dhe Shqipërisë: Mundësi të barabarta për studentët në 19 universitete publike

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka përshëndetur marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Shqipërisë, e cila mundëson të rinjtë nga dy shtetet të aplikojnë në universitetet publike, pa dallim.

“Me Marrëveshjen që u nënshkrua sot në mbledhjen e përbashkët të qeverive Kosovë-Shqipëri, hiqen të gjitha kufizimet për pranimin e studentëve në institucionet publike të arsimit të lartë në dy vendet tona” shkroi ajo në facebook.

Sipas Nagavcit, kjo marrëveshje rrit mundësitë e përzgjedhjes së programit të studimeve, dhe se mund të shfrytëzohet që nga viti i ri akademik.

“Përveç që rriten mundësitë për përzgjedhje të institucionit dhe programit të studimeve, lajmi i mirë është se, të rinjtë tanë do të mund ta shfrytëzojnë këtë mundësi që nga ky vit akademik, pasi që Marrëveshja u nënshkrua në prag të afateve për regjistrim në institucionet e arsimit të lartë” shtoi ajo.

Në anën tjetër, Ministrja e Arsimit e Shqipërisë, Evis Kushi, shtoi se kjo marrëveshje nuk i ndryshon procedurat e ligjeve të mëparshme për kuota të veçanta për vendet respektive.

Për shembull në Shqipëri universitetet përcaktojnë vetë një numër kuotash për studentë nga Kosova, Maqedonia apo Presheva. Kjo do të vazhdojë të jetë në fuqi, me qëllim nxitjen e shkëmbimeve mes vendeve.

Kështu, nga viti i ardhshëm akademik një maturant shqiptar nga Shqipëria mund të konkurrojë në Kosovë me të njëjtat kushte, kritere dhe procedura si shqiptarët e Kosovës. E njëjta vlen edhe për maturantët nga Kosova.