11:01 / E Enjte, 24 Shkurt 2022 / B O

Ministrja Rizvanolli merr pjesë në “Ditët e Industrisë së BE-së 2022”

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka marrë pjesë në panelin “Implementimi i Axhendës së Gjelbër në Kosovë” në kuadër të ngjarjes “Ditët e Industrisë së BE-së 2022” të organizuar nga Këshilli i Investitorëve Evropianë në bashkëpunim me Komisionin Evropian.

Në këtë panel të udhëhequr nga Neil Taylor, Udhëheqës i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Kosovë, kanë marrë pjesë edhe Linda Çavdarbasha, Zv. Ministre në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Juan Zaratiegui, Zv. Udhëheqës i Sektorit Politik në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, si dhe Anita Kovaçiç, Drejtoreshë e Bankës Raiffeisen.

Ngjarja e sotme ka nxitur diskutime mbi tranzicionin e gjelbër dhe dixhital, në mbështetje të forcimit të qëndrueshmërisë të sektorëve të ndryshëm.
Gjatë diskutimit, Ministrja Rizvanolli ka folur për mundësitë e zhvillimit të sektorit përderisa jemi duke u përballur me sfida globale.

Ndër të tjera, ministrja Rizvanolli ka cekur që Strategjia e Energjisë 2022 – 2031 ka bërë një gjë të qartë, dekarbonizimin e sektorit të energjisë në Kosovë deri në vitin 2050. E para e ME-së ka potencuar që kjo duhet të arrihet duke pasur parasysh sigurinë e furnizimit si dhe përballueshmërinë financiare për konsumatorët fundorë.
Tutje, ndër të tjera Ministrja ka ndarë punën e cila është duke u bërë në zhvillimin e bashkëpunimit rajonal për sektor të energjisë, Ligjin për Burimet e Ripërtërishme të Energjisë, dizajnimin e pilot-ankandit për energji të ripërtërishme si dhe largimin e barrierave institucionale për zhvillim të kapaciteteve të energjisë së ripërtërishme dhe efiçiencës së energjisë.