MINT-i me shkelje dha subvencione para nënshkrimit të marrëveshjes

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka evidentuar shkelje në procesin e subvencionimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), përmes bashkëpunimit me Agjencinë për Mbështetjen e Ndërmarrjeve (KIESA).
Sipas raportit të auditorit, MINT-i nuk ka respektuar kriteret e përcaktuara në thirrjen publike dhe në udhëzuesin zyrtar për dhënien e subvencioneve.
Në disa raste, janë përfituar mjete financiare pa përmbushur kushtet e përcaktuara paraprakisht në marrëveshje. Një rast i identifikuar nga ZKA-ja është ai i një përfituesi që ka marrë 35 mijë euro për blerjen e makinerive prodhuese, megjithëse transaksionet bankare për blerjen e pajisjeve ishin realizuar para nënshkrimit të marrëveshjes me MINT/KIESA.
Marrëveshja ishte firmosur në shtator 2024, ndërsa pagesat ishin bërë në periudhën maj–korrik të po atij viti, duke shkelur qartë afatin dhe procedurat e parashikuara. Gjithashtu, në shtatë raste të tjera në vlerë totale prej 54 mijë euro, MINT dhe KIESA kanë autorizuar pagesa 100% ndaj përfituesve që në fazën e parë të marrëveshjeve, gjë që bie ndesh me rregullin që parashikon transferimin e 80% të shumës fillimisht dhe 20% pas realizimit të plotë të projektit.
Zyrtarët kanë arsyetuar këto lëshime me “volumin e madh të punëve”, por ZKA thekson se këto janë shkelje të qarta të udhëzimeve ligjore.
Një tjetër shkelje e rëndë ka të bëjë me angazhimin e një eksperti të jashtëm jo rezident, me një kontratë në vlerë 74 mijë euro.
Nga pagesa e parë prej 63 mijë euro për shërbimet e ofruara, MINT nuk ka mbajtur tatimin në burim për pagesat ndaj personave jorezident. Kjo, sipas auditorit, ka ndodhur për shkak të mungesës së njohurive nga zyrtarët financiarë dhe administrativë të ministrisë.
ZKA po ashtu ka identifikuar se disa pozita në ministri po mbulohen nga ushtrues detyre përtej afateve të lejuara me ligj.