15:29 / E Premte, 27 Korrik 2018 / indeksADMonline

Miqtë dhe bashkëpunëtorët rrëfejnë kujtimet me Adem Demaçin

Veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi ka mbet në kujtesën e secilit shqiptar. Miq e bashkëpunëtorë të tij, me lot në sy u përkulën sot para trupit të pajetë të Demaçit për të veprën e tij.

Dikush kishte mbledhë disa shkrime që flisnin për të, të botuara shumë vjet më parë. Dhe jo vetëm kaq, në duar kishte edhe një libër për të, e që mezi i mbante meqë mosha e shtyrë po i vështirësonte mjaft edhe qëndrimin në këmbë.

Por mësuesi i letërsisë, Shaqir Shaqiri nuk mungoi sot tek homazhet që po mbahen në Kuvendin e Kosovës, për t’i dhënë nderimet e fundit Demaçit, të cilin e quan patriot i vërtetë.

“Kam menduar a me ardhur apo jo, por e kam pas obligim”, tha ai.

Për plot 30 vjet e kishte njohur personalisht Adem Demaçin. E sot e kujton herën e fundit kur e kishte takuar të gjallë.

Shaqir Shaqiri që vjen nga Medvegja, thotë se veprimtaria e Demaçit do të jetojë përherë.

“Në Prishtinë e kam takuar disa herë, herën e fundit e kam takuar në promovimin e këtij libri, muzeun kombëtar… Gjarpërinjtë e gjakut, dhe atë nuk e kam marrë sot u bë shumë nuk mund t’i qoj. Me gjarpërinjtë e gjakut e ka dhënë veprimtarinë e tij patriotike, njerëzore, shqiptare, kosovare”, tha ai.

Për të nderuar veprën heroit të kombit dhe fituesit të çmimit “Saharov”, erdhën njerëz nga vende të ndryshme të Kosovës, Shqipërisë e Maqedonisë.

Ata kujtonin takimet e fundit me Demaçin dhe tregonin se për çka do ta mbajnë mend gjithmonë atë që për plot 28 vjet qëndroi në burg për angazhimin e tij politik.

Nga Shqipërisë kishte ardhur edhe Kudusi Lama, i cili tha se frymëzimi që ka ardhur prej veprës së Demaçit ka ngritë vajzat dhe djemtë e vendit.

“Frymëzimi që ka rrjedh prej veprës së tij është ai që i ka ngritë djemtë dhe vajzat e këtij vendi, edhe në luftë për çlirim. Natyrisht frymëzim do të jetë edhe e ardhmja kombëtare e të gjithë hapësirave shqiptare, sepse monumenti që i ka ngritë ai kombit shqiptar është aq madhor”, tha ai.

Qytetarët që kishin ardhur nga anë e mbanë vendi, e kishin mjaft të vështirë që me pak fjalë të flisnin për Demaçin.

“Ne sot kemi ardh këtu të bëjmë një nderim për herë të fundit para veprës dhe figurës së madhe të kombit shqiptar, zotëri Adem Demaçit, ne jemi sot me qëllim më të mirë për të ruajtur, kujtesën për zotëri Adem Demaçin”, tha ai.

Për të gjithë mbetët frymëzim, krejt ajo çka Demaçi ka bërë gjatë jetës së tij.

Në homazhe sot u panë edhe shumë nga shoqatat e shkrimtarëve, e ata kishin një lidhje mjaftë të ngushtë me Demaçin, i cili edhe ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve.

Ata rrëfejnë se Demaçi i ka pritur çdoherë, edhe në kohën kur shëndeti i tij kishte filluar të dobësohej.

“Herën e fundit nuk mund të na fliste me gojë, por na fliste me lot. Adem Demaçi ka pajtuar gjaqe, Adem Demaçi ka krijuar breza, gjeneratë edhe prej burgut. Edhe unë jam njeri i burgosur”, tha ai.

Sot një ditë pas vdekjes së veprimtarit të çështjes kombëtare, Adem Demaçit, shumë miq e kujtojnë këshillat që kishin marrë nga ai në kohë të rënda lufte.

“Ai na çonte porosi, thoshte dëgjoni ju të burgosurit politik, çdo gjë që keni për ta thënë mos e shkruani në letër, por në mendje, mbane mend dhe mos e harroni, 100 herë përsëriteni por mos e harroni sepse letrat ua zënë armiqtë dhe ua zbulojnë qëllimet. Kjo porosi ishte shumë e fuqishme”, tregon Milazim Morina që vjen prej Drenicës.

Adem Demaçi u quajt edhe kullë e pajtimit, njëri që ishte çdoherë i gatshëm të ndihmojë të tjerët kur në pyetje ishte atdheu.

“Baca Adem ka qenë kullë e pajtimtarëve për të burgosurit politik dhe për ne të gjithë. Çdoherë që kishim nevojë me ditë për rrugën e atdheut konsultoheshim me bacën Adem. Ai na këshillonte çdoherë… Personalisht herën e fundit e kam takuar para dymuajsh …. Ai na ka prit edhe kur nuk ka mund të flasë, edhe kur nuk ka pas mundësi të na njoh, ai na ka prit çdoherë, për të burgosurit politik shtëpia e tij ka qenë çdoherë e hapur, ishte njëri i veçante”, tha ai.

Para kamerës së KosovaPress-it, miq, bashkëpunëtore, ish-të burgosur politik e qytetarë të shumtë nga trojet shqiptare, treguan përjetimet e tyre që kishin me veprimtarin Adem Demaçi.

Homazhet në Kuvendin e Kosovës po vazhdojnë dhe qytetarët do të kenë mundësi t’i japin nderimet e fundit deri në orën 20:00.

Simboli i rezistencës, Adem Demaçi ndërroi jetë dje në moshën 82 vjeçare.