Miratohet kërkesa e Ministrisë së Financave për kursime e ndarje buxhetore
Kërkesa e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për kursime dhe ndarje buxhetore në vlerë 4 milion e 752 mijë e 350 euro, ka marrë dritën jeshile nga Qeveria në detyrë.
Vendimi është marrë në një mbledhje elektronike, ka bërë të ditur ekzekutivi përmes një njoftimi për media.
“Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për kursime dhe ndarje buxhetore”, thuhet në njoftimin e shkurtër të Qeverisë së Kosovës për mbledhjen e 279 për këtë mandat qeverisës e mbajtur në mënyrë elektronike.
Shuma e përgjithshme e mjeteve është 4 milionë 752 mijë e 350 euro. Sipas vendimit mjetet i janë ndarë Ministrisë së Financave për kategoritë e pensioneve për pensionet bazë, pensionet për punëtorët e arsimit të viteve ’90, pensionet familjare, pensionet për të verbrit, pensionet për veteranët, pagesat për lehonat dhe shtesat për fëmijë si dhe pagesat për komunali për familjet e cenueshme.


