75 Mall Live Search
13:35 / E Martë, 16 Korrik 2024 / k.v

Miratohet marrëveshja për pranim fajësie midis prokurorisë dhe 2 të të akuzuarve për tregti të ndaluar

Gjykata Themelore e Prishtinës, të martën ka miratuar marrëveshjen e arritur midis Prokurorisë Themelore të Prishtinës dhe dy të të akuzuarve Muhamet Ferizi dhe Azem Hoti, të cilët ngarkohen për “Tregti të ndaluar”.

Ferizi dhe Hoti akuzohen se ishin hasur nga Dogana, duke bërë shkëmbimin e mishit të ngrirë dhe pomfriteve pa autorizim, mall ky me origjinë nga Qiproja, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi i rastit, Eroll Gashi tha se gjykata aprovon marrëveshjen për pranim fajësie të arritur mes Prokurorisë dhe të akuzuarve, pasi janë përmbushur kushtet.

Sipas marrëveshjes për pranim fajësie, dy të akuzuarit dënohen me nga 700 euro gjobë dhe me burgim në kohëzgjatje nga 3 muaj, i cili me pëlqimin e të pandehurve do të zëvendësohet me gjobë, lartësinë e të cilit do ta caktojë gjykata.

Paraprakisht, u lexua aktakuza nga prokurorja e rastit Vjosa Bytyqi, e cila njoftoi se është arritur marrëveshja për pranim të fajësisë.

Pastaj, dy të akuzuarit deklaruan se mbështesin në tërësi marrëveshjen e lidhur me Prokurorinë. Edhe mbrojtësit e tyre, avokatët Florim Shefqeti dhe Fazli Brahaj, e mbështetën këtë marrëveshje.

Pas aprovimit të marrëveshjes për pranim fajësie, aktgjykimi pritet të shpallet një ditë tjetër.

Sipas aktakuzës së ngritur më 28 maj 2021 nga Porkuroria Themelore në Prishtinë, më 30 mars 2021, rreth orës 21:00 në Milloshevë të Obiliqit, pas një marrëveshje paraprake, pa autorizim, të akuzuarit Muhamet Ferizi dhe Azem Hoti ishin hasur nga sektori i Inteligjencës së Doganës së Kosovës, duke bërë shëmbimin e 2 mijë e 700 kilogramëve të peshkut të ngrirë, 2 mijë kilogramë pomfrit dhe 65 kilogramë mish qengji të ngrirë, të gjithë këtë në vlerë prej 6 mijë e 85 euro e 50 cent, mallra këto me origjinë nga Qipro. Malli ishte sekuestruar përkohësisht.

Me këto veprime, Ferzi dhe Hoti ngarkuan se kanë kryer veprën penale “Tregtia e ndaluar” nga neni 299, par.1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.