11:10 / E Enjte, 23 Mars 2023 / shkelqim osmanaj

Miratohet mocioni i AAK-së për shtyrjen e shqyrtimit të Propozim-Rezolutës për punën dyvjeçare të Qeverisë

Me propozim të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës është shtyrë pika 6 e rendit të ditës, shqyrtimi i Propozim-Rezolutës për punën dyvjeçare të Qeverisë së Kosovës.

Të njëjtit e kanë propozuar këtë pikë në mbledhjen e kryesisë por qëllimi ishte që të jetë pikë e parë e rendit të ditës.

Kështu që me shumicë votash, është shtyrë diskutimi për dy vjetorin e qeverisjes së Kurtit për seancën e radhës.

Raportimi i kryeministrit të Republikës së Kosovës Albin Kurti do të jetë në rendin e ditës së seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Ndryshe, Bashkimi Evropian e ka quajtur si shumë të suksesshëm takimin e 18 marsit në Ohër, në mes të kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Vuçiq.

BE-ja ka thënë se palët janë pajtuar për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes tyre, të mbështetur nga BE-ja.

Ndër të tjera, mbrëmjen e së mërkurës, Kurti e pranoi që marrëveshja me Serbinë ka Asociacionin, ai e përmendi nenin 10, në të cilin, sipas tij, flitet për këtë gjë.

“Ka Asociacion, neni 10 thotë që dy palët i konfirmojë obligimet e tyre për të zbatuar marrëveshjet e kaluara, që mbeten të obligueshme. 39 marrëveshje janë, për më shumë se 4 vjet janë 39 marrëveshje”, ka thënë ai.

I pyetur se çfarë nuk i pëlqen te plani evropian, Kurti tha se mund ta ketë problem faktin që shumë gjëra nuk janë përfshirë, por që në parim nuk ka ndonjë gjë substanciale që do ta bënte propozimin e papranueshëm.