Miratohet në lexim të parë Rregullorja e re e Kuvendit të Kosovës

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar në lexim të parë Rregulloren e re të legjislativit, e cila u përkrah nga gjitha grupet parlamentare.
Kryetari i Komisionit për Legjislacion, njëherësh deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi tregoi risitë e kësaj Projekt-rregullore.
“Draft-rregullorja definon procedurat për seancën konstitutive në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, kryesimin e seancës në rastin e refuzimit të seancës konstituive, nominimin dhe zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, përcakton mënyrën e zgjedhjes së kryetarëve, proceduarën e zgjedhjes së nënkryetarëve dhe procedurën e nominimeve të zgjedhjes së nënkryetarëve të pakicave. Për të shmangur vonesat procedurale forcon rolin e kryetarit të Kuvendit në çështjet si përgatitja dhe propozimi i rendit të ditës, shpërndarja e projektligjeve por në esencë nuk pakëson kompetencat e kryesisë së Kuvendit”, tha Rrustemi.
“Formalizon dhe normalizon praktikën aktuale të konsultimit me shefat e grupeve parlamentare rreth rendit të ditës, numrit dhe përbërjes së komisioneve të Kuvendit, duke krijuar konferencën e kryetarëve si një organ të ri të Kuvendit. Fshihen dispozitat për procedurat e heqjes së imunitetit të deputetit në përputhje me aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2011. Me nen të veçantë rregullon organizimin e grupeve të grave deputeteve, grupeve të tjera jo formale dhe grupeve të miqësisë. Përcakton të drejtat dhe përgjegjësisë të deputetëve që të ofrohen mbështetje për deputetët, në anën tjetër përcakton papërgjegjësinë e deputetit për të marrë pjesë në procesin e votimit në seancë dhe përcakton rregullat kur mungon në seancë plenare apo mbledhje të komisioneve”, shtoi ai.