Miratohet në parim projektligji për inspektimet

Kuvendi i Kosovës po vazhdon seancën e mbetur në gjysmë, ku u shqyrtua dhe u miratua për herë të parë projektligji për inspektimet. Ky projektligj u kundërshtua nga deputeti i PDK-së, i cili tha se derisa VV-ja thoshte që do të angazhohet për zvogëlimin e administratës, me këtë projektligj shtohen katër agjenci ekzekutive, ndër to edhe në zyrën e kryeministrit.
Ferat Shala nga PDK-ja kërkoi një arsye pse po shqyrtohet ky projektligj me kaq nguti dhe nuk shkon me procedura normale. Ai tha se po krijohen tri agjenci ekzekutive në tri ministri dhe një tjetër në zyrën e kryeministrit.
“Vërtet po doni që përmes këtyre tri institucioneve ekzekutive në tri dikasteret tuaja më të fuqishme ekonomike, plus vetë në kokë, realisht ta centralizoni në mënyrë ekstreme, të hapur me ligj në procedurë të shpejtë një sektor të tërë që është edhe katalizator i të mirës por edhe të keqes. Pra a mund të më thoni me analizën tuaj, pse po e sillni komplet trupën inspektuese te zyra e kryeministrit, cilat praktika janë? Ju keni thënë që insistoni ta zvogëloni administratën, tash me këtë ligj po na del se po i shtoni katër institucione ekzekutive, një për vete dhe tre për të tjerët, për besë nuk ka arsytueshmëri”, tha ai.
Ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari, tha se ky ligj është përkrahur edhe nga Banka Botërore, që ka kushtëzuar për ta shtyrë përpara në mënyrë që të vazhdohet përkrahja.
“Nuk është zyra e kryeministrit zyrë e inspektimeve. Kjo është një keqkuptim, por zyra e kryeministrit ka rolin koordinues, ku do t’i koordinojë këto autoritete të inspektimit dhe vlen të përmendi që ky është vetëm një fillim i reformës, nuk është e gjithë reforma me ligjin për inspektime, por është vetëm një fillim dhe iniciim i reformës për inspektime”, tha ajo.
Sërish ka reaguar deputeti Shala, i cili tha se ky projektligj është i mangët dhe kontrabandim.