17:10 / E Mërkurë, 22 Korrik 2020 / indeksADMonline

Miratohet Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike, do të dërgohet për procedim të mëtejmë në Kuvend

Ministrja e Financave dhe Transfereve, Hykmete Bajrami, përmes një postimi të bërë në rrjetin social Facebook, ka njoftuar se në mbledhjen e sotme, Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike.

Përmes këtij projektligji ajo thotë se krijohet baza ligjore për implementimin e Programit për Rimëkëmbje Ekonomike të hartuar nga Qeveria e Kosovës me qëllim të tejkalimit të pasojave socio-ekonomike të shkaktuara nga pandemia COVID-19.

Ky është njoftimi i saj:

Qeveria e Kosovës në Programin Qeverisës 2020 -2023 i kushton vëmendje të veçantë rimëkëmbjes ekonomike të Republikës së Kosovës nga pasojat e krijuara nga pandemia Covid-19. Rrjedhimisht, së bashku me Ligjin e rishikuar për Ndarjet Buxhetore për vitin 2020, ky Projektligj është mekanizmi kryesor dhe i domosdoshëm për rimëkëmbjen ekonomike.

Ky projektligj horizontal parasheh plotësimin dhe ndryshimin e disa ligjeve me qëllim të arritjes së objektivave për rimëkëmbje ekonomike të vendit. Ndryshimet e legjislacionit që rregullohen përmes këtij projektligji ku përfshihen: ndryshimi i Ligjit Nr. 05/L-057 për Themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore ku synohet krijimi i kompetencave ligjore për FKGK që të plasojë skema dhe produkte të reja në treg, të rrit përqindjen e mbulesës deri në 80% për garancitë kreditore të lëshuara (krahas rregullimit ligjor aktual që mbulon deri në 50%), të lëshojë garanci kreditore për zhvillimin e biznesit për fermerët e regjistruar në mënyrë të rregullt në regjistrin e fermerëve që mirëmbahet nga ministria përgjegjëse për bujqësi dhe të pajisur me Numër Identifikues të Fermës (NIF), edhe në rastet kur fermeri përkatës nuk ka të regjistruar shoqëri tregtare në ARBK, si dhe në rast nevoje, Qeveria e Kosovës autorizohet të mbulojë tarifat për shërbimet e FKGK-së ndaj institucioneve financiare. Këto ndryshime padyshim do të lehtësojnë kredi-marrjen për bizneset dhe do të lehtësojnë barrën e tyre gjatë procesit të rimëkëmbjes ekonomike.

Nëpërmjet ndryshimit të Ligjit Nr. 04/L-101 për Fondet Pensionale të Kosovës; (i plotësuar dhe ndryshuar) autorizohet FKPK dhe Fondet tjera pensionale që brenda katër muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, t’u mundësojnë qytetarëve të Republikës së Kosovës që t’i tërheqin 10 % të kursimeve të tyre pensionale. Nëpërmjet këtij mekanizmi do të rritet kërkesa agregate e qytetarëve dhe në treg do të futen rreth 200 milionë euro, pa rrezikuar asgjë nga fondet pensionale. Nëpërmjet ndryshimit të Ligjit Nr. 05/L -028 për Tatimin në të Ardhurat Personale, mundësohet që paratë e tërhequra nga FKPK dhe Fondet tjera pensionale sipas dispozitave të këtij Projektligji të mos tatimohen

Nga ana tjetër, nëpërmjet ndryshimit të Ligjit Nr. 05/L-037 për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar reduktohet norma e TVSH-së në 8 %, nga 18% sa është, për furnizimet e hoteleve, restoranteve dhe shërbimeve të ushqimit, si dhe lirohen nga norma e TVSH-së transaksionet e sigurimit dhe ri-sigurimit në bujqësi, për policat e sigurimeve bujqësore për kulturat bujqësore. Nëpërmjet këtyre ndryshimeve, planifikohet të krijohen lehtësira për sektorin e hotelerisë, restoranteve dhe shërbimeve të ushqimit, si dhe të hiqet barra e TVSH-së në sigurimin dhe ri-sigurimin e produkteve bujqësore.

Nëpërmjet ndryshimit të Ligjit Nr.06/L-105 për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave dhe Ligjit Nr. 03/L-222 për Administratën Tatimore dhe Procedurat (i plotësuar dhe ndryshuar), synohen realizimi i dy elemente kryesore për mbështetje të bizneseve. E para, këto dispozita autorizojnë Ministrinë e Financave për shtyrjen e afatit të pagesës së tatimeve për bizneset deri në 2 vite, sipas kritereve të qarta dhe transparente që do të përcaktohen; dhe, e dyta, lirojnë të gjitha bizneset nga ngarkesa e interesit për mos pagesë të tatimeve, me kusht që këto të paguhen deri në fund të këtij viti.

Duke marrë parasysh që një sërë masash tjera për rimëkëmbjen ekonomike do të realizohen nëpërmjet mekanizmave tjerë, sidomos nëpërmjet subvencionimit të sektorëve të caktuar, nëpërmjet ndryshimeve të Ligjit Nr. 03/L-048 për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë (i plotësuar dhe ndryshuar) dhe Ligji Nr. 04/L-034 për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, synohet që të hiqet kufizimi që mjetet e pranuara nga privatizimi të destinohen vetëm në projektet infrastrukturore. Këto ndryshime, do të autorizojnë Qeverinë e Kosovës që mjetet e pranuara t’i ridestinojë në kategoritë e kërkuara ekonomike, përveç kategorisë së pagave dhe mëditjeve, për qëllime të rimëkëmbjes ekonomike.

Pas miratimit në Qeveri, ky projektligj dërgohet për procedim të mëtejmë në Kuvendin e Kosovës.