75 Mall Live Search
11:52 / E Premte, 20 Tetor 2017 / indeksADMonline

Miratohet projektligji që mundëson mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale

Në mbledhjen e nëntë Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin mbi Masat Doganore për Mbrojtjen e të Drejtave të Pronësisë Intelektuale.

Për projektligjin në fjalë ministri i Financave, Bedri Hamza, deklaroi se miratimi i këtij projektligji mundëson mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale.

Në të njëjtën kohë bën të mundur sjelljen e investimeve nga jashtë dhe mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve nga produktet e falsifikuara.

Po ashtu ekzekutivi kosovar të premten miratoi edhe projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes financiare për projektin e konkurrueshmërisë dhe gatishmërisë për eksport ndërmjet Kosovës dhe Asociacionit për Zhvillim.

Ndërkohë pa asnjë votë kundër është miratuar edhe propozim-vendimi për t’i rekomanduar Presidentit dhënien e autorizimit Ministrit të Drejtësisë për nënshkrimin e Traktatit për Transferim të personave të dënuar ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë, njofton Klan Kosova.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, deklaroi se ky rekomandim bëhet me qëllim të përmirësimit të bashkëpunimit në fushën e drejtësisë me shtetin e Hungarisë.