Mirëqenia dhe shëndeti i njerëzve duhet të jenë themeli i çdo politike zhvillimi

“Fuqizimi ekonomik nuk mund të jetë i vetmi ojektiv për politikën. Mirëqenia dhe shëndeti i njerëzve, kudo e për këdo duhet të jetë themeli i çdo politike për zhvillim. Aspiratat ambicioze që njerëzit në Evropën Juglindore kanë për t’u rimëkëmbur pas pandemisë, duket sikur po mbahen nën presionin e një realiteti të zymtë ku bashkëqytetarët tanë duhet të luftojnë me inflacionin galopant dhe faturat që u konsumojnë gjysmën e të ardhurave të tyre. Mjerisht, një pjesë e madhe e goditjes energjetike vazhdon të absorbohet nga sektori publik, ku shërbimet shëndetësore dhe sociale janë ndër të parat që preken. Ajo çfarë ndjehet më shumë është ikja në shifra të frikshme e trurit. Janë 67% e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor që deklaruan gatishmërinë e tyre për të jetuar dhe punuar jashtë vendit”, tha Majlinda Bregu, Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), duke iu drejtuar në Forumin e OBSH-së sot në Kopenhagë.
ForumiRajonal i Shëndetit dhe Ekonomisë së Mirëqenies i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) që zhvillohet në datat 1-2 mars mbledh përfaqësues të nivelit të lartë nga shëndetësia, financat, ekonomia, organizatat joqeveritare, politikëbërësit, agjencitë e Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Sekretarja e Përgjithshme e RCC-së mori pjesë në panelin e quajtur “Një qasje ekonomike për mirëqenien bazuar tek rritja e kostove të jetesës”.
“Janë 12.5% e njerëzve në Evropën Juglindore që jetojnë nën kufirin e varfërisë së ekonomisë me të ardhura mesatare. Norma mesatare e papunësisë prej 16% dhe papunësia e të rinjve arrin në 34%, Evropa Juglindore (EJL) ka vuajtur jashtëzakonisht shumë vitet e fundit. Duke bërë të mundur njohjen e kualifikimeve, duke mbështetur sigurimin e cilësisë në arsim, duke ulur kostot e komunikimit me eliminimin e tarifave rajonale të roaming, duke integruar perspektivën e të rinjve në politikëbërjen rajonale dhe duke ofruar mbështetje për zhvillimin e infrastrukturave kërkimore rajonale dhe start-upeve dixhitale, duke u dhënë më shumë mundësi grave në shkencë dhe sipërmarrje, ne në RCC ndërtojmë ura bashkëpunimi në të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Juglindore. Prandaj ka kaq shumë rëndësi ky Forum, ku jam e lumtur që kontribuon edhe RCC, për të zgjeruar, forcuar e frymëzuar rrjetin e grupeve e palëve të interesuara në afrimin drejt një qasjeje të mirëqenies dhe ekonomisë.”, përfundoi Bregu.
Zonja Bregu u takua me Drejtorin Rajonal të OBSH-së për Evropën, Hans Kluge, për të biseduar mbi të ardhmen e bashkëpunimit për shëndetin, veçanërisht shëndetin mendor të të rinjve në Ballkanin Perëndimor.