Mishetiq: ZPS-ja premtoi fishekzjarrë e spektakël, por s’kanë paraqitur asgjë
Mbrojtja e ish-presidentit, Hashim Thaçi, e udhëhequr nga avokati Luka Mishetiq tha se Zyra e Prokurorit të Specializuar ka premtuar fishekzjarrë dhe spektakël në këtë gjykim kundër ish-krerëve të UÇK-së, por që nuk paraqiti asgjë.
Sipas Mishetiqit, ZPS-ja nuk ka prova të besueshme që Hashim Thaçi kishte rol në përgatitjen apo shpërndarjen e komunikatave e deklaratave politike siç pretendon vetë prokuroria.
“Ne ju thamë juve se nuk ka prova të besueshme që Hashim Thaçi kishte një rol në përgatitjen dhe shpërndarjen e komunikatave apo deklaratave politike dhe ju thamë se ZPS-ja nuk ju jep asnjë shpjegim racional apo logjik se pse anëtarët e NPK-së pretendohet të kenë transmetuar qëllimin e përbashkët kriminal përmes komunikatave, po të kishte pasur UÇK-ja një zinxhir komandues funksional dhe ju thamë juve se konsensus i provave të dëshmitarëve ndërkombëtarë dhe brenda UÇK-së ishte se Hashim Thaçi nuk dyshohej se ishte përfshirë në krime lufte dhe se ai nuk dyshohej se ishte i përfshirë në ndonjë politik të pretenduar që shënjestronte të ashtuquatjtur kundërshtar. ZPS-ja të hënën nuk kishte kundërpërgjigje apo argumente për të hedhur poshtë këto pika themelore, ata nuk kishin përgjigje/Nuk është që nuk kishin kohë të hënën”, tha ai.
Sipas avokatit të Thaçit, ZPS-ja premtoi fishekzjarrë e spektakël, por siç deklaroi ai, prokuroria bëri mëkat të madh të pafalshëm – pasi premtoi shumë.
“Mbrojtja e di që ju do të bëni punën tuaj dhe ju do të pranoni konsensusin dhe provat që u kemi shkruar juve. Në fakt prokuroria është ajo që nuk do që ju të bëni punën tuaj, ata duan që ju të bëni punën e tyre, ata duan që ju të gjeni prova që ata nuk arritën të gjenin….Mëkati më i madhi në një gjykim është që të premtohet më tepër sesa paraqitet dhe ZPS-ja ka bërë këtë mëkat të madh të pafalshëm në këtë gjykim. Ata kanë premtuar fishekzjarrë, spektakël por kanë paraqitur asgjë“, tha ai.
Avokati i ish-presidentit, Hashim Thaçi para trupit gjykues në Hagë tha se prokuroria në Hagë pati vetëm premtime boshe, të tepërta dhe pa fakte.
“Çfarë saktësisht sipas ZPS-së tha Hashim Thaçi se do të bënte, çfarë saktësisht sipas ZPS-së bëri Hashim Thaçi për të zbatuar apo vënë në jetë atë që tha, ZPS-ja nuk pati përgjigje këto ishin premtime boshe të tepërta të cilat nuk do të ndiqeshin me fakte”, tha ai.
Në seancën e sotme pritet të thonë fjalën përfundimtare edhe katërshja e UÇK-së.

