09:36 / E Hënë, 19 Shtator 2022 / MSH

Misioni i OSBE-së prezanton sot raportin mbi trajtimin e rasteve të terrorizmit nga gjykatat në Kosovë

Misioni i OSBE-së do të prezantojë sot në Prishtinë raportin për mënyrën se si trajtohen rastet e terrorizmit nga sistemi i drejtësisë në Kosovë.

Raporti “Trajtimi i rasteve të terrorizmit nga sistemi i drejtësisë penale në Kosovë” ofron analizë të rasteve të terrorizmit nga viti 2018 deri më 2020, dhe bazohet në të dhënat e Misionit nga monitorimi i gjykimeve, informacionet nga gjykatat dhe intervistat e hollësishme me partnerët.

Qëllimi është që të përkrahen praktikuesit e ligjit të ruajnë standardet më të larta profesionale në këtë fushë sfiduese të ligjit dhe politikave. Në shërbim të këtij qëllimi, raporti identifikon praktikat e mira, si dhe fushat që përbëjnë shqetësim në legjislacion, procedurë dhe praktikë dhe përmbyllet me një seri rekomandimesh.

Gjatë ngjarjes, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të dëgjojnë prezantimin e njërit nga autorët e raportit, Kirsty Brimelow Avokate e Mbretit (Angli dhe Uells), dhe reflektime nga panelistët. Kjo do të pasohet nga një seancë diskutimesh dhe pyetje-përgjigje lidhur me të gjeturat e raportit.

Do të ketë fjalime hyrëse nga Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës Albert Zogaj, dhe Prokurori Special Afrim Shefkiu, si dhe nga Ambasadori Michael Davenport, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë.