22:45 / E Martë, 04 Tetor 2022 / Andronika

Misteri pas zhdukjes dhe gjetjes së dy studenteve në Pejë

Gjurma e vetme që Sali Berisha kishte të premten e 23 shtatorit për të bijën e zhdukur, ishte ky mesazh: “Mirë jena, me *** jena. Mos na lypni!”

Pas kësaj, edhe për tetë ditë të tjera asnjë sinjal. Saliu thotë se edhe ky mesazh ka një prapravijë të çuditshme. Saliu i cili të hënën përqafoi për herë të parë të bijën pas zhdukjes, ka dyshime se dikush e mori atë me dhunë.

Historia e dy studenteve nga Peja ngre shumë pikëpyetje që nga momenti i zhdukjes e deri te forma sesi ato u shfaqën të premten e 30 shtatorit në fshatin Bllagajë të Pejës.

Policia e Kosovës ka dhënë shumë pak detaje për historinë e gjetjes së tyre, ani pse ato vetë u paraqiten në stacion policor.

Gjatë kohës sa familja kërkonte pa shpresë një shenjë për të bijën, e ëma e saj gjeti brenda rrobave një dokument që dëshmonte gjoja punën praktike që e reja do ta bënte në një lokal shishabari në Pejë.

Saliu mori atë dokument dhe shkoi të kërkonte informacione në Universitetin “Haxhi Zeka”, në Pejë, ku e bija e tij studion Teknologji Ushqimore.

Kjo letër në të cilën janë listuar emrat e pesë studentëve të këtij departamenti të cilët kinse do të kryenin praktikën në “Barcoden” mban logon e Universitetit të Pejës, por jo edhe vulën e tij. Për më tepër, nga ky universitet e kontestojnë edhe nënshkrimin e zyrtares për karrierë, Leonora Zefi, me të cilën është firmosur ky dokument.

Nga rektorati i këtij universitetit thonë se asnjëherë nuk kanë pasur marrëveshje për punë praktike me lokalin në fjalë.

Ajo që është e vërtetë në historinë mes studenteve të zhdukura dhe “Barcoden-it”, është fakti se ato kishin punuar për një kohë në këtë lokal.

Për KIKS Kosovën pronari i lokalit, Denis Cocaj, ka pranuar se dy studentet i kishte angazhuar si punëtore në lokalin e tij. Ai ka pohuar se me vajzat kishte rënë në kontakt përmes Instagramit dhe se nuk ka dijeni për ekzistencën e letrës. Cocaj thotë se të rejat nuk i ka parë që nga përfundimi i vitit akademik deri në ditën kritike.

Bënë praktikë studentore apo ishin të punësuara me apo pa vullnetin e tyre, misteri thellohet me faktin se një gjë e tillë ishte mbajtur e fshehur për familjet e tyre.

Engimën e rritë një dokument i nxjerrë nga Fakulteti i Agrobiznesit që mban datën 3 tetor, i cili ndër pohon se këtë të hënë studentet u panë në hollin e fakultetit, ani pse ato ndodheshin në Qendrën për Punë Sociale në Pejë.

Sidoqoftë, rektori i Universitetit të Pejës, Armand Krasniqi, konfirmoi për KIKS-in se bazuar në pamjet e kamerave të sigurisë së këtij universiteti, vajzat nuk kanë qenë ditën e hënë në fakultet, por as më 23 shtator, ditën kur u zhdukën.

Krasniqi tha se është duke hulumtuar se pse u lëshua një dokument i tillë.

Për të hedhur dritë mbi rrethanat e zhdukjes dhe gjetjes së të rejave, KIKS Kosova ka kërkuar informacione nga Prokuroria Themelore në Pejë.

Nga burimet brenda Prokurorisë së Pejës, KIKSi ka mësuar se hetimet janë duke u zhvilluar në disa pista dhe deri tani janë intervistuar disa persona të cilët dyshohen se mund të kenë qenë me vajzat gjatë kësaj kohe.

Këto burime i kanë thënë KIKS-it se njëra nga pistat që po hetohet është edhe mundësia se vajzat mund të kenë qenë pre e trafikimit.

Në anën tjetër, policia ka refuzuar që t’i përgjigjet KIKS-it rreth hetimeve policore për këtë rast, por nuk e ka mohuar e as pohuar informacionin që vajzat u paraqiten në stacion policor, vetëm pak orë para se të fillonte aksioni i policisë për gjetjen e tyre.