12:45 / E Mërkurë, 19 Korrik 2023 / mp

Mitrovica e Veriut shumë afër anëtarësimit në Asociacion, MAPL ia aprovon kërkesën

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal i ka kthyer përgjigje Mitrovicës së Veriut lidhur me kërkesën për t’iu bashkuar Asociacionit të Komunave të Kosovës, duke ia aprovuar kërkesën. Tash, vendimi është në dorë të organeve të AKK-së.

“Indeksonline” e ka siguruar shkresën që MAPL i ka dërguar Kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, ku thuhet se kërkesa është në pajtim me legjislacionin në fuqi.

“Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, pas shqyrtimit të përmbajtjes së aktit të komunës si më sipër, vlerëson se akti i komunës, është në pajtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi”, thuhet në dokument.

Ndryshe, Mitrovica e Veriut, komunë me shumicë serbe, ka nisur procedurat për t’u anëtarësuar në Asociacionin e Komunave të Kosovës, para një muaji.

Përmes një shkrese drejtuar Asociacionit, Kryetari Erden Atiq, ka kërkuar që komuna që ai e drejton të bëhet pjesë e AKK’së.

“Si kryetar i komunës së Mitrovicës së Veriut, ju njoftoj se me qëllim të mbrojtjes dhe promovimit të interesave të përbashkëta komunale, bazuar në nenin 31 dhe 32 të Ligjit për qeverisjen lokale, në bashkëpunim me Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, kemi filluar procedurat për anëtarësim të komunës së Mitrovicës së Veriut në Asociacionin e Komunave të Kosovës”, thuhet në shkresë.

Shembullin e tij ka thënë se do ta ndjek shpejt edhe ai i Zubin Potokut.