75 Mall Live Search
14:48 / E Hënë, 06 Qershor 2022 / MSH

Mitrovica shënon Ditën e Dëshmorëve

Nën patronazhin e kryetarit të komunës, Bedri Hamza dhe në bashkëpunim me Shoqatat e Dala nga Lufta e UÇK-së, sot është mbajtur një manifestim kushtuar Ditës së Dëshmorëve të Komunës së Mitrovicës.

Me këtë rast, kryetari i Mitrovicës, së bashku me nënkryetarin Arian Tahiri, drejtorë të drejtorive komunale, përfaqësues të institucioneve tjera lokale, familjarë të dëshmorëve, përfaqësues të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së dhe qytetarë të shumtë, kanë bërë homazhe dhe kanë vendos buqeta me lule, në varrezat e dëshmorëve në Shipol të Mitrovicës.

Fillimisht hapja e këtij organizimi është bërë nga përfaqësuesja e Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve në Mitrovicë, Alije Tmava, e cila tha se 6 qershori, dita e dëshmorëve është dita e krenarisë, ku u sakrifikuan shumë të rinj që sot ne të festojmë festën e pavarësisë.

“Dëshmorët na bëjnë të jemi krenar për vendin dhe kombin por na bëjnë të jemi të përgjegjshëm me sjelljet dhe veprimet tona ndaj kombit dhe shtetit tonë”, ka thënë Tmava gjatë fjalimit të saj.

Ndërkaq në fjalën e tij, kryetari Hamza, tha se janë mbledhur që të shënojnë një ditë të veçantë, ditën e dhimbjes, por edhe të krenarisë së madhe.


“Në këtë ditë, me respekt të thellë, i kujtojmë dhe i nderojmë dëshmorët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë ditë po ashtu, me respekt të thellë, i kujtojmë dhe i nderojmë të gjithë dëshmorët e kombit, që ndër breza bënë sakrificën e madhe që peri i jetës të mos këputët në këto troje. I përjetshëm qoftë kujtimi për ta. Lavdi për të gjithë dëshmorët”, është shprehur ndër të tjerash kryetari Hamza.

Vlen të potencohet se ky përvjetor u organizua nga Komuna e Mitrovicës, përkatësisht nën përkujdesjen e kryetarit të komunës.