10:51 / E Premte, 22 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Mjegulla, policia apel për ngasësit

Policia e Kosovës u apelon qytetarëve për kujdes të shtuar për shkak të shfaqjes së mjegullës.

Policia përmes një njoftimi u ka bërë apel qytetarëve që të mbajnë nën vëzhgim rrugën për ndryshime të papritura të dukshmërisë.

“Mjegulla më e ndenjur mund të jetë afër lumenjve. Përdorni dritat e mjegullës. Nëse automjeti juaj i ka ato, kjo ju ndihmon të ndriçohet rruga para jush dhe këto drita bëjnë automjetin tuaj më të dukshëm për shoferët e tjerë. Disa automjete kanë edhe dritat e mjegullës, të cilat ndihmojnë shoferët që lëvizin mbrapa t’ju shohin edhe nga një distancë më e madhe”, thuhet në apelin e policisë.

Policia ka këshilluar shoferët që të ndezin dritat gjatë ngasjes, por jo dritat me rreze të gjatë.

“Ngasja e automjetit me drita të gjata mund të reflektojë jashtë mjegullës dhe mund të kthehet në automjetin tuaj, e cila gjithashtu e bën të pamundur që shoferët t’ju shohin”, njofton policia.

Mbajtja ndezur e dritave të shkurtra dhe të mjegullës, mbajtja nën kontroll e shpejtësisë së lëvizjes, mbajtja e krahut të djathë të rrugës gjatë lëvizje janë këshillat që Policia e Kosovës ka dhënë për të gjithë shoferët për shkak të mjegullës.