12:04 / E Shtunë, 12 Tetor 2019 / indeksADMonline

Mjekë nga Italia dhe QKUK, operuan 11 pacientë me probleme në zemër

Mjekët italianë, të asistuar nga mjekët kosovarë, në Klinikën e Kardiokirurgjisë në QKUK, kanë operuar 11 pacientë me probleme në zemër.

Sipas QKUK-së, 6 fëmijë të operuar nga ekipi italian, i udhëhequr nga Dr. Bruno Murzi, me ndihmën e ekipit vendor, i udhëhequr nga Dr.Adem Grbolar dhe ekipi i kardiokirurgëve tjerë, kishin defekt të bashkëlindur të zemrës, defekt të septumit ventrikular, defekt të septumit atrial, si dhe duktus perzisten arterial.

“Fëmijët janë përzgjedhur nga Klinika e Pediatrisë, dr. Ramush Bejiqi dhe ekipi kardiologjisë pediatrike. Pacientët e operuar janë pa asnjë komplikim postoperativ. Ndërkaq, 5 pacientë të moshës së rritur kishin probleme me aneurizmën e aortës, sëmundje të valvulave dhe sëmundje koronare. Të gjithë pacientët e operuar janë lëshuar në mjekim shtëpiak, pas trajtimit postoperativ, pa komplikime. Mjekët italianë do ta vizitojnë sërish Kosovën, me qëllim të shkëmbimit të njohurive dhe thellimit të bashkëpunimit me mjekët kosovarë”, thuhet në komunikatën e QKUK-së.