75 Mall Live Search
13:30 / E Hënë, 03 Nëntor 2025 / P M

Mjekët, apel qytetarëve: Intelegjenca Artificiale nuk zëvendëson mjekun

Inteligjenca Artificiale po ndryshon mënyrën se si qytetarët po informoheni për shëndetin, por mjekë apelojnë të kenë kujdes sepse IA-ja nuk zëvendëson mjekun, por është një mjet që ndihmon në informim, jo për diagnozë apo trajtim.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale publikoi një video në një postim në rrjetet sociale, ku mjekët këshillojnë përdorim të burimeve të sigurta, verifikim të informacioneve dhe konsultim me profesionistët e shëndetit, shkruan ATSH-ja.

Dr. Dritan Ylli, mjek në Institutin e Shëndetit Publik tha se “kohët e fundit ka një rritje të përdorimit të Inteligjencës Artificiale për qëllime mjekësore. Megjithatë duhet të kemi parasysh që përdorimi i saj nga ana e pacientëve, për këshilla, diagnozë, apo edhe për zgjidhje të problemeve mjekësore, duhet shoqëruar edhe me rrisqet që ka përdorimi i IA-së. Por kujdes mos rrini vetëm tek ai informacion që morët, është e nevojshme gjithmonë këshilla nga një mjek”.

E dyta, theksoi Ylli, ka të bëjë me formulimin e pyetjeve, mënyra si e formulon një pyetje, e orienton IA-në drejt përgjigjeve të caktuara.

“Çdo gjë ka të bëjë me kontekstin dhe konteksti ka të bëjë me elemente të rëndësishëm si për shembull mosha e personit në fjalë, me prakticitetin e çështjes, mbi kostot etj”, tha Ylli.

Së fundmi, shtoi Ylli, është gjithmonë e rëndësishme të kemi parasysh se Inteligjenca Artificiale ende është një produkt në përsosje e sipër.

“Është gjithmonë e nevojshme të kemi besim te mjeku, empatia profesionale, njohuritë, përvoja duket se ende janë të pazëvendësueshme, pavarësisht nga artikujt, nga kërkimi shkencor vijon të na informojë në këtë fushë”, tha Ylli.

Dr.Danjela Teferiçi, kardiologe në QSUT u shpreh se “IA nuk mund të zëvendësojë kurrë doktorin, është doktori i cili trajton pacientin në mënyrë specifike. Nuk mund të justifikojë një infarkt akut miokardi që është një urgjencë madhore dhe mund të keqdiagnostikohet si një pneumoni për shembull, apo si një dhimbje stomaku dhe personi vazhdon të rrijë në shtëpi duke pritur që IA t’i gjejë sëmundjen dhe trajtimin”.

Ndërsa Dr.Lidra Zikaj, mjeke në Poliklinikën nr.3. Tiranë u shpreh se “prindërit nuk duhet të mjaftohen me informacionin që jep interneti apo Chat GPT, por duhet t’i drejtohen pediatrit”.

“Mos merrni barna dhe terapi, mos merrni trajtime, nëpërmjet internetit, ato duhet t’i konsultoni nëpërmjet mjekut të familjes dhe mjekut specialist. Kujdesi i vërtetë dhe ai personal fillon tek vizita e mjekut”, tha Zikaj.

Ajo i këshillon qytetarët të informohen, por mos të rrezikojnë shëndetin e tyre.