12:46 / E Enjte, 09 Gusht 2018 / indeksADMonline

Mjekët keqpërdorin kartelat e hyrje-daljeve në QKUK

Në kuadër të masave që ka ndërmarrë menaxhmeti i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, për mbikëqyrje dhe vënie të rregullit dhe disiplinës në punë, ka vërtetuar se në disa raste janë keqpërdorur kartelat për hyrje-dalje në punë nga ana e mjekëve, infermierëve dhe stafi tjetër teknik- administrativ.

Pas kontrollit dhe verifikimit që ka bërë komisioni për monitorim dhe verifikim të zbatimit të orarit të punës, në bashkëpunim me sektorin e IT-së,  përmes kamerave identifikuese tek aparatet për vendosjen e kartelave identifikuese, është vërtetuar se në rreth 200 raste, ka pasur keqpërdorime të karteleve.

Një i punësuar ka përdorur më shumë se një kartelë verifikuese për hyrje-dalje në punë.

Menaxhmenti i SHSKUK-së për këtë ka njoftuar drejtorët e klinikave, kryeinfermierët dhe menaxherët e tjerë dhe ndaj atyre që kanë keqpërdorur kartelat  do të ndërmerren masa disiplinore konform Ligjit të Punës.

Menaxhementi i SHSKUK-së, ka intensifikuar hapat për vënie të rregullit dhe disiplinës në klinikat e QKUK-së dhe institucionet tjera vartëse, me qëllim  që shërbimet shëndetësore ndaj pacientëve  të  merren me kohë dhe të jetë sa më cilësore.

Komisioni i formuar nga ana e drejtorisë së përgjithshme për kontroll dhe monitorim të zbatimit të orarit të punës do të vazhdojë që edhe ditët në vijim të bëjë monitorimin e zbatimit të orarit të punës.