19:00 / E Diele, 27 Nëntor 2022 / AR

Mjekët thonë se po detyrohen ta shkelin Ligjin, institucionet heshtin

Të gjithë pacientët të cilët shkojnë në Qendrën Klinike Universitare (QKUK) për trajtim, detyrohen që të blejnë barna, pasi që klinikave u mungojnë ato. E mjekët janë të detyruar dhe në rast të intervenimeve kirurgjike, tu thonë pacientëve që t’i sigurojnë disa nga barnat dhe materialet që mungojnë, ndryshe operimi nuk mund të kryhet.

Vet mjekët thonë se kërkesa e tyre ndaj pacientëve që t’i sigurojnë barnat, është shkelje e kodit etik dhe se me këtë ata çdo ditë rrezikojnë që të hyjnë në një vepër penale. Kirurgu Pleurat Sejdiu i cili është dhe kryetar i Odës së Mjekëve të Kosovës, thotë për “IndeksOnline”, se mjekët çdo ditë po bëjnë shkelje, duke i dërguar pacientët të blejnë barna, gjë që nuk u lejohet, por se janë të detyruar ta bëjnë, me qëllim që ta kryejnë punën, për të cilën janë të thirrur.

“Me dashje, pa dashje, mjekët janë duke bërë shkelje, për shkak të dërgimit të pacientëve me ble materiale, barna apo çkado që të jenë ato. Sepse na është thënë shumë qartë nga niveli Prokurorial dhe hetuesisë, nuk keni të drejtë. Gjë që iu ka përcjellë dhe institucioneve tjera. Në atë tryezë kanë qenë dhe përfaqësuesit e ministrisë dhe përfaqësuesit e menaxhmentit të ShSKUK-së, nuk është ndërmarrë asgjë. Andaj apeli jonë është se mjekët nuk guxojnë, nuk kanë të drejtë me e dërgu pacientin me ble materiale. Sepse rrezikojnë që të hyjnë në një vepër penale. Se si e rregullon menaxhmenti këtë ai është problem i nivelit menaxherial të SHSKUK-së dhe politikës”, thotë Sejdiu.

Sejdiu  thotë se që mjekët bëjnë shkelje çdo ditë, e dinë dhe menaxhmenti i QKUK së dhe Ministria e Shëndetësisë, nga të cilët mjekët kanë kërkuar sqarim, se a iu lejohen apo jo që të kërkojnë na pacientët që t’i sigurojnë barnat, por se kurrë nuk kanë marrë një përgjigje nga ta.

“Ka klinika që kanë kërkuar dhe me shkrim prej menaxhmentit të SHSKUK-së a kemi të drejtë me kërkuar apo nuk kemi të drejtë. Asnjëherë menaxhmenti nuk është përgjigj. Dhe tash mund të ndodh shumë lehtë, që tash mjekët të organizohen dhe të refuzojnë me qu pacientin me ble mjete, barna apo çkado që jenë ato, mjete të nevojshme me kry një trajtim. Nëse ajo refuzohet, pacienti mbetet pa trajtu dhe referohet jashtë SHSKUK- së”, thotë Sejdiu.

Menaxhmenti i SHSKUK-së edhe Ministria e Shëndetësisë, të cilët asnjëherë nuk i janë përgjigjur pyetjeve të mjekëve, nuk preferuan t’i përgjigjen as pyetjeve të dërguara nga “IndeksOnline”. Të pyetur se a po e shkelin Kodin etik dhe ligjet mjekët në QKUK , duke rrezikuar të akuzohen për vepër penale, asnjëra nga këto dy institucione, nuk kanë kthyer përgjigje.

Përkundër insistimit të “IndeksOnline”, përgjigje për këtë nuk kemi mundur të marrim as nga Prokuroria e shtetit, e cila sipas kirurgut Pleurat Sejdiu, u kishte thënë në një tryezë të përbashkët ku ishin Mjekët, Menaxhmenti i SHSKUK-së dhe MSH, se mjekëve u ndalohet të kërkojnë nga pacientët në QKUK, që vet ata t’i blejnë barnat, pasi që ka rrezik që ata të hyjnë në një vepër penale. /IndeksOnline/