11:49 / E Martë, 12 Maj 2020 / indeksADMonline

Mjeku austriak largohet nga salla në gjysmë të operacionit, pacienti vdiq

Një mjek austriak në spitalin Universitar Kepler (KUK) në Linz është larguar nga salla gjatë një operacioni mjaft delikat në zemër të një pacienti. Si pasojë e kësaj, pacienti 77-vjeçar vdiq. Për shkak të këtij rasti, mjeku u suspendua nga puna dhe rasti po hetohet nga prokuria. Siç raportohet nga mediat austriake, thuhet se mjeku ishte larguar nga salla e operacionit në mënyrë që të shkojë për pak kohë në ordinancën e tij private.

Kjo ngjarje bëri buje të madhe në mediat austriake gjatë javës së kaluar. Sipas mediave austriake, mjeku mund të përballet deri me tre vjet burgim.

“Aktualisht po hetohet për vdekje të rëndë nga pakujdesia. I akuzuari mund të vuajë deri në tre vjet burgim”, konfirmoi për “heute.at” zëdhënësi i prokurorit publik të Linzit, Ulrike Breitenender, përcjell Albinfo Austria.

Po ashtu është duke u kryer një autopsi e të ndjerit. Rezultati do të jetë i disponueshëm vetëm brenda disa javësh, pasi mostrat e indeve duhet të analizohen.

“Gjatë hetimeve të brendshme, të cilat gjithashtu u kryen gjatë fundjavës, dyshimet në lidhje me shkeljen e detyrës u rriten, kështu që shkarkimi ishte i pashmangshëm”, tha udhëheqësi i mjekëve, Ferdinand Waldenberger.

Mjeku i akuzuar para se të largohej nga salla kishte thirrur një mjek tjetër për të përfunduar operacionin. Waldenberge kritikoi mjekun në fundjavë dhe e përshkroi sjelljen e tij si joetike dhe për keqardhje.