16:06 / E Diele, 03 Maj 2020 / indeksADMonline

Mjeku kosovar nga Berlini: Nga nesër kthimi në normalitet vazhdon me intenzitet të shtuar

Fahri Beqa, mjek internist dhe kardiolog, që punon në Gjermani, tregon pëmes një postimi në Facebook të dhënat e reja në Berlin rreth pandemisë COVID19.

Ai ka thënë se 80% të të infektuarve nuk kanë pasur fare nevojë për mjekim spitalor, 20% e pacientëve me COVID-19 janë hospitalizuar, ndërsa vetëm 4% e pacientëve kanë pasur nevojë për mjekim intensiv, transmeton Indeksonline.

Teksa ai thotë se nga nesër do të ketë kthim në normalitet me intenzitet të shtuar.

Ky është postimi i plotë:

Sipas të dhënave më të reja në Berlin (02.05.2020), qytet me 3,76 milionë banorë, nga 5970 të infektuarit me Sars-Cov2, 5040 apo 84,4% tanimë janë shëruar. Janë edhe 776 të infektuar aktiv, ndërsa 154 fatkeqësisht kanë vdekur (mosha mesatare rreth 80 vjeç, shumica të sëmurë kronik). Numri i rasteve të reja në 7 ditët e fundit ka qenë në mes 50 dhe 60.

80% të të infektuarve nuk kanë pasur fare nevojë për mjekim spitalor, 20% e pacientëve me COVID-19 janë hospitalizuar, ndërsa vetëm 4% e pacientëve kanë pasur nevojë për mjekim intensiv. Deri dje në orën 24.00, vetëm 55% të kapaciteteve të klinikave në Berlin me gjithsej 22.000 shtretër, kanë qenë të zëna, duke përfshirë këtu pacientët me të gjitha llojet e sëmundjeve. 45% të kapaciteteve spitalore, ishin të lira.

Nuk ka raste të neglizhimit të sëmundjeve të tjera, sidomos të atyre me infarkt të zemrës. Nga nesër kthimi në normalitet vazhdon me intenzitet të shtuar.