75 Mall Live Search
13:26 / E Premte, 15 Nëntor 2024 / mp

MKRS-ja e pranon se hoqi pishën te teatri: Rrënjët e tij dëmtonin strukturën e ndërtesës!

Ministria e Kulturës ka dhënë sqarim për drurin e larguar në afërsi të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

“Ministria e Kulturës po bën investimin më të madh që është bërë ndonjëherë në Teatrin Kombëtar të Kosovës, restaurimin e plotë dhe zgjërimin e hapësirave të tij.

Për hartimin e këtij projekti janë angazhuar profesorë nga gjashtë fakultete të Universitetit të Prishtinës ndërsa jemi pajisur me leje nga Instituti i Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve.

Largimi i drurit në afërsi të teatrit ka qenë i paraparë në projekt për shkak që rrënjët e tij kanë qenë të mbështetura në muret e strukturës së ndërtesës, duke dëmtuar kështu strukturën dhe duke pamundësuar realizimin e punëve të drenazhimit, përforcimim e themeleve dhe vazhdimin e zbatimit të projektit. Po kujdesemi që projekti të zbatohet tërësisht dhe punët të zhvillohen në mënyrën më profesionale. Natyrisht që druri i prerë do të zëvendësohet. Hapësirat e gjelbërimit janë të parapara dhe do të zbatohen në detaje”, thuhet në sqarimin e ministrisë.