13:10 / E Hënë, 14 Mars 2022 / MSH

MMPHI thotë se vendimi për çmimet e biletave të autobusëve është i prerë

Ministria e Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ka njoftuar se po përcjellë zhvillimet që janë duke ndodhur në raport me rritjen e vazhdueshme të çmimeve të biletave me qëllim të mbrojtjes së disa nga kategoritë e veçanta të shoqërisë.

“Në mbështetje të autorizimeve ligjore kemi ndërmarrë hapat formal ligjorë duke u mbështetur në nenin 22 paragrafi 3 të Ligjit për Transportin, për të caktuar çmimore të veçantë për fëmijët, studentët, invalidët e luftës të punës dhe pensionistët, që këto kategori të jenë më të mbrojtura në raport me çmimet në rritje në transportin ndër urban të udhëtareve me autobusë” thuhet në njoftimin e MMPHI-së.

Duke qenë në këto rrethana MMPHI është detyruar që të reflektojë autoritetin ligjor, duke nxjerr aktin nënligjor (vendim) që të përcaktojë çmimore të veçantë deri në normalizimin e gjendjes me çmimet nga operatorët e transportit ndërurban të udhëtarëve me autobusë.

Njoftohen të gjithë operatorët se MMPHI-ja, përmes mekanizmave dhe instrumenteve ligjore do të bëjë mbikëqyrjen e zbatimit të vendimit në fjalë nga të gjithë operatorët e transportit të udhëtarëve, rrjedhimisht në mbështetje të dispozitave ligjore të ligjit N/L-179 për transportin rrugor.

Organet e kontrollit do të ndërmarrin të gjitha veprimet e domosdoshme me qëllim të zbatimit të këtij vendimi.