Mocioni i AAK-së, çfarë thonë nga PDK dhe LDK?

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka deklaruar dje për media se partia e tij do të nisë një mocion mosbesimi ndaj kryeministrit Albin Kurti, i cili, sipas Haradinajt, është përgjegjës për situatën në vend.
Sipas Haradinajt, kryeministri Kurti, në vend që të bashkëpunojë me ShBA-në, ka nxitur një konflikt në veri që i konvenon Serbisë dhe Rusisë.
“Qëndrimi i Aleancës është që të iniciohet mocion mosbesimi për Kryeministrin Kurti. Mocioni bazohet në dy zhvillimet e fundit, i pari është rrezikimi i sovranitet dhe i sigurisë në veri dhe i dyti është prishja e marrëdhënieve me ShBA dhe BE. Do të fillojmë diskutimet me spektrin politik me shoqërinë në përgjithësi. Besoj që mocioni është zgjidhje për këtë situata të krijuar. Kryeministri Kurti në vend që të bashkëpunoj me ShBA, ka bërë një plan të vetin, nuk ka bashkëpunuar me Amerikën po ka nxit një konflikt në veri që i konvenon Serbisë dhe Rusisë”.
Indeksonline ka kontaktuar Grupet Parlamentare të opozitës për t’i pyetur se a do ta përkrahnin një mocion të tillë.
Arben Gashi, kryetar i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, deklaroi se LDK aktualisht është e fokusuar në zhvillimet në veri të vendit.
“Për momentin jemi të fokusuar në situatën në veri. Nuk jemi duke e shqyrtu këtë mundësi” u përgjigj shkurtimisht Gashi.
Në anën tjetër, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, thotë se partia e tij nuk e përkrah një kryetar që mund të prishë marrëdhëniet e ndërtuara ndër vite me ndërkombëtarët.
“Ne nuk kemi pasë ndonjë takim politik hala, kam qëndrimin personal, që e kam bërë publik. Përkundër faktit që kjo qeveri nuk ka drejtu mirë me shtetin dhe ka sjellur falimentim ekonomik, social e tani edhe politik, me gjithë këto penallti që morëm nga Shtetet e Bashkuara, po të vazhdojë mos me kërku as mbështetjen e as me e përfillë spektrin politik, përfshirë dhe opozitën, për me ndërtu një platformë dalëse nga kjo situatë në të cilën e ka futë Kosovën, e po të vazhdojë me nxitjen e disponimit kundër partnerëve tanë, kjo qeveri meriton të ketë jo vetëm mocion, por detyrimisht, në koordinim me partnerët, të mendohet për një qeveri gjithëpërfshirëse” tha Berisha.
Ai vlerëson se Kurti po fsheh qëllimin që ka për implementimin e marrëveshjes për Zajednicën.
Sipas Berishës, më mirë që Kosova të ketë qeveri gjithëpërfshirëse deri sa të stabilizojë gjendjen dhe marrëdhëniet me ndërkombëtarët, sesa një kryeministër që nuk i kryen këto detyrime./IndeksOnline/