22:52 / E Premte, 07 Gusht 2020

Mocioni i Vetëvendosjes për rrëzimin e Qeverisë Hoti, sa ka gjasa të jetësohet? Flasin analistët

Dje Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar se ka nisur procedurat për inicimin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti.

Mirëpo ky subjekt politik që ka 31 deputetë, kishte kritikuar ish partnerin qeverisës LDK-në, pikërisht pse veproi kështu në kohë pandemie, duke rrëzuar pas 51 ditësh qeverinë e Albin Kurtit, shkruan IndeksOnline.

Për njohësin e rrethanave politike në vend, Ramush Tahirin, Vetëvendosje po shfrytëzon një të drejtë që i takon, por se nuk i ka votat e mjaftueshëm, andaj i duhet marrëveshja me partitë e tjera.

“Secila parti parlamentare ka te drejt të ngritë mocion votëbesimi për Qeverinë nëse i mbledh 40 nënshkrime ndërsa Qeveria rrëzohet me 61 vota. Vetëvendosje i ka 31 deputet dhe i duhet bashkëpunim dhe marrëveshje me ndonjë parti tjetër opozitare apo pjesë e koalicionit qeverisës për të bërë një të tretën e deputetëve përkrahës për nismë ose një më shumë se gjysmën për me qenë i suksesshëm në votim mocioni”, tha Tahiri për IndeksOnline.

Mirëpo rrëzimi eventual i Qeverisë Hoti,sipas Tahirit, nuk nënkupton dërgimin e vendit në zgjedhje të reja, pasi që ekziston mundësia për krijimin e qeverisë së re, pa iu nënshtruar votës së qytetarit.

Tahiri tutje ka shtuar se rrëzimi dhe zgjedhja e qeverisë nuk ndikohet prej pandemisë por prej shkaqeve politike dhe numrave të koalicionit.

“Vetëvendosje besoj se për arsyet e veta të ngritjes politike e shfrytëzon momentin e krijuar rreth pandemisë e rezultateve të këqija ne menaxhimin e saj dhe kërkon përkrahjen e PDK për rrëzimin e Qeverisë Hoti sigurisht edhe me marrëveshje për krijim të Qeverisë së re pa e dërgu vendin në zgjedhje.. por nuk ma merr mendja se do të ndodhë kështu pasi Vetëvendosjes i interesojnë vetëm zgjedhjet e reja parlamentare në të cilat llogaritë se e rrit numrin e votuesve e deputeteve”, nënvizoi ai.

Ndryshe Vetëvendosje i ka kërkuar PDK-së votat për dërgimin e këtij mocioni në Kuvend, e në anën tjetër zyrtarë të PDK-së e kanë cilësuar si jo serioze këtë nismë. /IndeksOnline/