11:49 / E Premte, 07 Tetor 2022 / B O

Moda, mesazh për luftën, stilistja ukrainase në Javën e Modës në Paris

Në Javën e Modës në Paris nuk kanë munguar stilistët nga Ukraina, duke përcjellë edhe mesazhe të forta për vendin që vazhdon të jetë nën agresionin rus. Iryna Kokhana, themeluese e “Chereshnivska”, e sheh këtë shfaqje si një shans për të nxjerrë në pah jo vetëm markën e saj, por edhe qëndrueshmërinë e vendit të saj.

“Moda është komunikim me botën, tregon se ne jemi të fortë dhe mund të vazhdojmë”, thotë stilistja, e cila u detyrua të zhvendosej në Londër kur shpërtheu lufta.

“Secili prej nesh po lufton. Kjo është për të treguar pathyeshmërinë e popullit tonë dhe aftësinë tonë për të krijuar edhe gjatë luftës, kur gjithçka po shkatërrohet”, shton ajo.

Kur Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt, Kokhana po prezantonte koleksionin e saj në Javën e Modës në Nju Jork. Punëtoria e saj në Lviv u mbyll për disa muaj dhe ajo vendosi të qëndronte në Londër, ku kishte disa kontakte.

Por sot biznesi i saj është në funksionim përsëri, pasi disa punonjës vendosën të ktheheshin në shtëpi.

“Disa njerëz vendosën të mos qëndronin më jashtë vendit, ata filluan të kthehen”, thotë ajo.

“Të gjithë kanë situata vërtet të ndryshme, por disa thjesht nuk mund të përballonin në një vend tjetër.”

Kokhana po drejton markën e saj nga Britania e Madhe, pasi ka rihapur faqen e saj të internetit, duke ndryshuar monedhën ukrainase në stërlina.

Chereshnivska u themelua në Ukrainë në 2016 – një markë unisex, ajo përmban dizajne të guximshme me printime tërheqëse, shumë prej të cilave janë ideuar nga drejtorja krijuese Anastasiya Rozova.