16:27 / E Shtunë, 27 Gusht 2022 / A. M.

Moderna padit rivalët: Pfizer-BioNTech kopjuan teknologjinë e prodhimit të vaksinave

Kompania “Moderna” ka paditur kompanitë rivale “Pfizer” dhe BioNTech” lidhur me prodhimin e vaksinave kundër COVID-19.

Sipas grupit farmaceutik amerikan, dy kompanitë kanë kopjuar teknologjinë e përdorur për prodhimin e vaksinave, ekskluzivitetin e të cilës “Moderna” e kishte regjistruar mes viteve 2010-2016.

“Po ngremë padi për të mbrojtur platformën tonë teknologjike inovative “mRNA”, për të cilën kemi investuar miliarda”, thuhet në një komunikatë të “Moderna”.

Kompania e ka depozituar aksionin e saj ligjor në gjykatën rajonale të Masaçusetsit, në Shtetet e Bashkuara dhe në një gjykatë rajonale gjermane.

Vendimi i saj për të paditur dy kompanitë simotra përbën një përshkallëzim në betejën për pronësinë intelektuale lidhur me të drejtat e teknologjisë “mRNA”.

Sipas ekspertëve, konkurrenca në lojë është e lartë, duke marrë parasysh faktin se “Pfizer”, “BioNTech” dhe “Moderna” parashikojnë të gjenerojnë 52 miliardë dollarë të ardhura nga shitja e vaksinave në vitin 2022.

“Vlerësojmë se “Pfizer” dhe “BioNTech” kanë kopjuar në mënyrë të paligjshme shpikjet tona dhe kanë vazhduar t’i përdorin ato pa leje”, ka deklaruar përfaqësuesja ligjore e “Moderna”, Shenon Tim Klinger.

Kompania pretetndon se “Pfizer” dhe “BioNTech” kanë kopjuar dy elementë thelbësorë të teknologjive të saj të regjistruara.

“Kur COVID u shfaq, as “Pfizer” dhe as “BioNTech” kishin nivelin e eksperiencës për zhvillimin e vaksinave me teknologjinë “mRNA” dhe kanë ndjekur me vetëdije modelin tonë të prodhimit të vaksinave”, ka thënë më tej përfaqësuesja ligjore./Euronews.al