Modric zbulon se kur do të pensionohet nga Kombëtarja e Kroacisë

Aventura e Kroacisë në Kupën e Botës “Rusi 2018” mbetet e paharrueshme për Luka Modric, por mesfushori veteran dëshiron t’i lërë mënjanë ato kujtime në Katar.
Modric fitoi Topin e Artë në vitin 2018 pasi udhëhoqi Kroacinë në finalen e turneut kryesor të FIFA-s, i cili përfundoi me humbje nga Franca, ndërsa fitoi Ligën e Kampionëve për të tretën herë radhazi me Real Madridin.
37-vjeçari dhe trajneri Zlatko Dalic janë dy fytyra të njohura që nga Kupa e Botës në Rusi në një skuadër që tanimë ka ndryshuar shumë.
Modric u shpall fitues i Topit të Artë në Kupën e Botës së fundit, që iu dha lojtarit më të mirë të turneut, por dëshiron të lërë pas suksesin e mëparshëm përpara ndeshjes hapëse të Grupit F të së mërkurës kundër Marokut.
“Patjetër, ajo që kemi kaluar në vitin 2018 në Rusi është e paharrueshme dhe e pashlyeshme në mendjen time”, tha legjenda e Real Madridit të martën.
“Të tjerët mund të vazhdojnë të flasin për të, por ne duhet ta lëmë mënjanë dhe të fokusohemi në atë që është përpara. Shumë lojtarë në Kupën e Botës në vitin 2018 në Rusi nuk janë këtu, ne kemi lojtarë të rinj, lojtarë të rinj cilësorë me gjak dhe energji të freskët. Ky është një turne i ri dhe ne duhet ta shikojmë atë në atë mënyrë”, tha më tej Modric.
Kroacia ka humbur ndeshjen e saj fillestare në tre nga pesë paraqitjet e saj në Kupën e Botës, me përjashtim të vitit 1998 kur arritën në gjysmëfinale dhe 20 vjet më vonë ku ata bënë arritjen spektakolare.
Skuadra e Dalic shfaqet në formë të mirë pasi kaloi kualifikimet pa ndonjë frikë të vërtetë dhe kryesoi një grup të Ligës së Kombeve që përfshinte Francën dhe Danimarkën.
Ndërsa Kroacia ka fituar secilën nga pesë ndeshjet e fundit, Modric këmbënguli se lojtarët e Dalic do të tregojnë respekt për Marokun, të cilët renditen në vendin e 22-të në botë nga FIFA.
“Ne duhet të mbajmë një qëndrim modest dhe të mos bëjmë premtime të mëdha apo pretendime të mëdha se do të arrijmë diçka”, shtoi ai.
“Unë jam i përgatitur fizikisht dhe jam në formë të shkëlqyer. Jam i shëndetshëm, por krahasimi me Botërorët e tjerë nuk ka kuptim. Është e rëndësishme të ndihesh i përgatitur dhe gati për të fituar.”
Nëse Kroacia mund të bëjë më mirë në këtë Botëror se në vitin 2018, respektivisht ta fitojë Kupën e Botës, Modric u zotua se do t’i japë fund karrierës së tij të shkëlqyer ndërkombëtare.
“Nëse kjo ndodh do të ishte mirë. Do të tërhiqem nëse fitojmë”, përfundoi ai.