75 Mall Live Search
11:53 / E Martë, 05 Gusht 2025 / L A

Modriq pranon se Milani mund të jetë skuadra e tij e fundit në karrierë

Luka Modriq është zyrtarisht lojtar i AC Milanit.

Mesfushori legjendar kroat u paraqit të hënën para mediave në selinë e klubit, duke ndarë emocionet e para dhe ambiciet që ka me kuqezinjtë.

Pas një lamtumire emocionale me Real Madridin, Modriq pranoi ofertën e Milanit që, sipas tij, ishte vendim i lehtë pas interesimit të drejtpërdrejtë të drejtorit Igli Tare. Ai e konsideroi të rëndësishme qasjen personale të klubit dhe ndjesinë se besonin te cilësitë e tij.

“Jam rritur duke parë futbollin italian dhe gjithmonë kam patur simpati për Milanin. Boban ishte idhull imi”, tha Modriq, duke shtuar se ndjehet i emocionuar pavarësisht moshës.

Ai theksoi se objektivi i tij është të ndihmojë Milanin të rikthehet në nivelet më të larta. “Minimumi është kualifikimi në Champions League, por Milani duhet të luftojë për trofe. Do të jap gjithçka për këtë”, tha ai, duke shtuar se vjen me përvojën, përulësinë dhe etikën e tij të punës.

Modriq konfirmoi se ndihet mirë fizikisht dhe është gati të bashkohet me ekipin në stërvitje më 5 gusht. Për trajnerin Allegri kishte vetëm fjalë të mira, ndërsa për ligën italiane tha se është shumë taktike dhe konkurruese.

Në fund, Modriq nuk e përjashtoi mundësinë që ky të jetë “vallëzimi i fundit”, por theksoi se është fokusuar vetëm te e tashmja dhe dëshiron të japë maksimumin për klubin e ri.