75 Mall Live Search
21:42 / E Diele, 13 Korrik 2025 / Burim

Moisiu: Jetoj në një shtëpi të ndërtuar 53 vite më parë, deputetët me shtëpi në det e mal, rrogat i dimë

Ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, i cili ka shërbyer në këtë post gjatë viteve 2002-2007, ka folur mbi situatën e korrupsionit në vend dhe sjelljen e zyrtarëve ndaj akuzave.

Moisiu tha se, ndonëse ka qenë President i Republikës, vijon të jetojë në të njëjtën shtëpi të ndërtuar 53 vite më parë.

Ai vuri në dukje kontrastin e madh me zyrtarët e sotëm, përfshirë deputetët, të cilët sipas tij zotërojnë disa prona, shpesh të padeklaruara.

“E kam thënë se unë me atë shtëpi kam 53 vjet, por nuk është një shtëpi e keqe, por nuk është bashkëkohore. Ama nuk është sekret të them që jo figurat e larta, por edhe çdo deputet ka shtëpi në det, në mal e në kodër, disa të deklaruara dhe disa të padeklaruara – dhe me çfarë u bënë? Rrogat ne i dimë,” – tha Moisiu.

Ai kritikoi faktin që zyrtarët nuk japin llogari dhe i mohojnë akuzat duke i quajtur shpifje:

“Unë e vras mendjen të gjej mundësinë si të rregullohem. Më e keqja është se thonë se janë në rregull dhe janë shpifje. Këta të bëjnë edhe budalla.”

Në këtë kontekst, Moisiu i bëri thirrje drejtësisë së re që të mos punojë me hamendje, por mbi bazën e dokumenteve konkrete.

Tutje përmendi rastin e pallateve “Partizani” si një shembull që kërkon verifikim serioz dhe gjurmim të dokumentacionit në arkiva, qoftë edhe jashtë vendit.

“Po të nxjerrësh faktet, s’mund të thonë se këto gjëra nuk ekzistojnë. Të marrim grupin e pallateve ‘Partizani’, ajo ka qenë tokë e blerë nga italianët. Si janë dokumentet, nuk i di. Nuk bëhet asgjë pa dokumente. Edhe nëse nuk janë këtu, gjenden në Itali. Arkivat të shkojnë dhe t’i marrin, t’ua mbyllin gojën”, u shpreh Moisiu në A2CNN.