Molliqaj: “Ballkani i Hapur” është interes i oligarkëve, pra i kapitalit

Kryetari i Partisë Socialdemokrate të Kosovës, Dardan Molliqaj, ka thënë se “Ballkani i Hapur”, si iniciativë, është nisur gabim nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Serbisë, Alekasandar Vuçiq, dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Ai ka treguar qëndrimin e tij se si e sheh këtë nismë. Sipas tij, kjo duhet t’i paraprijë një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë.
“Serbia duhet t’ia njohë Kosovës të drejtën nëse ajo me anë të referendumit mund të vendosë vetë nëse dëshiron që të bashkohet më Shqipërinë, apo me çkado tjetër, jo me na e njoftë shtetin, por me na e njoftë të drejtën se çfarë dëshirojmë të bëjmë ne me shtetin. Pa këtë është gabim, sepse aty pastaj ka hegjemoni, edhe ka tensione dhe çfarëdo pakënaqësi ekonomike çon në konflikte të reja”.
Molliqaj ka deklaruar se “Ballkani i Hapur” duhet të jetë interes i shumicës së njerëzve.
“E dyta, nuk duhet keqshfrytëzim, e kam fjalën në rrafshin ekonomik. E dimë se dikush fiton më shumë e dikush fiton më pak, sepse rrethanat ekonomike, resurset, pozita gjeografike dhe numri i popullësisë, por besojmë se duhet të ketë një mekanizëm të rishpërndarjes së pasurisë. Mendoj se ‘Open Ballkan’ deri tani është interes i oligarkëve, pra i kapitalit. Besojmë që një bashkëpunim rajonal duhet të jetë interes i shumicës së njerëzve”.
“Për të ndodhur kjo i bie që shtete do të kontribuojnë në fondin e përbashkët të kombinimit sipas përfitimeve që i kanë, ndërsa shpërndarja e atij fondi do të ndodhë sipas pabarazisë së zhvillueshme, pra do të ndodhë sipas nevojave. Si e kanë nisur Edi Rama, Zoran Zaev dhe Aleksandar Vuçiq, “Ballkani i Hapur” është gabim”, ka thënë Molliqaj në Rubikon të Klan Kosovës.