Molliqaj e quan qyqar Kurteshin: Qëndron Kastratin, djalin e dëshmorit e akuzoi për lidhje me Rakiqin
Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka folur për akuzat e Lëvizjes Vetëvendosje në drejtim të kryetarit të komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati për shkarkimin e kryesuesit të Asamblesë komunale nga radhët e Vetëvendosjes, Bajram Mavriqi.
Në një intervistë për Telegrafin, Molliqaj ka folur për akuzat dhe kundër-akuzat që kanë ardhur nga niveli qendror i VV-së për Kamenicë pasi që me kërkesë të kryetarit të Komunës është shkarkuar Mavriqi.
“Pas shkarkimit të drejtoreshës së Arsimit në Kamenicë, ka reaguar drejtuesi i Asamblesë komunale me akuza ndaj Kastratit, i cili më pastaj e ka shkarkuar Mavriqin. Mendoj se e ka bërë gjënë e duhur, sepse nuk mund të jesh bashkëpunëtor i kryetarit kur ke akuza të tilla”, ka shtuar Molliqaj.
“Një qëndrim qyqar i Sami Kurteshit me ka zhgënjyer shumë. Të bësh akuza të tilla ndaj Qëndron Kastratit, për lidhjet e tij me Rakiqin, derisa dihet se babai i tij është dëshmor i kombit është për keqardhje”, ka shtuar Molliqaj.
Anëtari i Kryesisë së PSD-së ka folur edhe për qëndrimet e ndryshme që PSD-ja dhe VV-ja për tema të ndryshme në Kuvend.
Sipas tij, është konsumuar 90 për qind e debatit në mes VV-së dhe anëtarëve që iu bashkuan partisë së re.
Molliqaj ka folur edhe për rolin dhe bashkëpunimin PSD-VV në Prishtinë, duke thënë se shpeshherë VV-ja po është bllokuese në kuvendin komunal të Prishtinës, si rasti me buxhetin.
Ai në intervistën e dhënë ka folur edhe për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, datën e liberalizimit të vizave, konsolidimin e PSD-së, e cila sipas tij deri në fund të vitit do të shtrihet në tërë komunat e Kosovës, etj.