Molliqaj e quan sekt Vetëvendosjen, protesta thotë se ishte karneval i dështuar
Deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj e ka përqeshur protestën e sotme të ish-partisë së tij, Lëvizjes Vetëvendosje.
Në postimin e tij të bërë në Facebook, ai ka thënë se anëtarët e Vetëvendosjes, apo si i quan ai besimtarët e sektit, nuk guxojnë t’i flasin për shkak se i qorton profeti, siç e quan ai Albin Kurtin, transmeton Indeksonline.
Tutje, Molliqaj tha se LVV nga një lëvizje shpresëdhënëse është shndërruar në sekt që punon për interesa të Albin Kurtit.
Deputeti i PSD-së në fund tha se Vetëvendosja po fundoset dhe dëshmia më e mirë sipas tij është protesta e sotme.
Më poshtë mund ta lexoni postimin e plotë të Dardan Molliqajt:
Shpesh takoj njerëz që i janë mërzitur ndarjes së VV-së. Meqenëse besimtarët e sektit nuk guxojnë as të më flasin sepse i qorton profeti, të tjerët që guxojnë të mendojnë, e kanë kuptuar gjendjen ku është katandisur kjo parti.
Nga një lëvizje shpresëdhënëse, është shndërruar në sekt që për interesa të profetit paranoik, duke u mbrojtur nga ”armiku i jashtëm”, e shkatërroi vetën nga brenda.
Nga një lëvizje shpresëdhënëse, është shndërruar në sekt që për interesa të profetit paranoik, është e gatshme ta djegë edhe protestën si aktin më demokratik të një populli.
Një sekt që akuzon bashkëthemeluesit e lëvizjes keq e më keq, e në anën tjetër pranon në gjirin e saj njerëz si Ajvaz Berisha, i akuzuar për vrasje e përdhunime.
Sekt që përqafon Berat Buzhalën vetëm e vetëm që profeti t’i përdorë mediat e tij për të shpifur kundër nesh.
Sekt, fundosja e shpejtë e të cilit nuk po ndalet. Dëshmia më e mirë është protesta e sotme, të cilën profeti do ta quante ”karneval i dështuar”.