75 Mall Live Search
18:43 / E Diele, 30 Janar 2022 / AR

Molliqaj flet për herë të parë për sulmin ndaj policit në protestën e djeshme

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj është deklaruar për sulmin ndaj policit të shtunën gjatë protestës së organizuar nga PSD-ja kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike, raporton Indeksonline.

Ai thotë se përgjegjësia mbi incidentin i takon atij, dhe se ndjen keqardhje për atë çfarë ndodhi.

Postimi i plotë:

Përgjegjësia mbi incidentin më takon mua

Të dashur qytetarë,

Më takon mua ta marr përgjegjësinë për incidentin teksa po përgatiteshim për të mbajtur fjalim tek qeveria. Unë duhet të isha i përmbajtur pavarësisht provokimeve. Ndjej keqardhje për atë çfarë ndodhi. Mbi të gjitha, kemi përgjegjësi që qëllimi i protestës të jetë parësor dhe efekti i saj maksimal.

Jo për t’i bërë bisht paragrafit me lart por një sqarim mbi rastin është i nevojshëm. Ne ishim në përpjekje e sipër që t’i lirojmë shkallët ku planifikonim t’i mbanim fjalimet. Në ato momente, dy komandantët e operacionit më kanë ftuar që të diskutojmë, por në të njëjtën kohë policët tjerë më kanë shtyer, tërhequr zvarrë, sharë e ofenduar. Ajo ka qenë situata kur unë kam shtyer njërin nga policët. Pra, jo goditje, shtyerje. Lus që videot të publikohen të plota. Komandantët prezent duhet ta japin dëshminë e plotë. Edhe një herë, ky sqarim nuk dua të kuptohet si arsyetim.

Dua ta sqaroj se PSD nuk e ka dhunën mjet as qëllim. Por, futja e protestës në këtë regjistër është paralajmërim. Propaganda që po synon ta kriminalizojë një protestë paqësore ku asgjë nuk është dëmtuar dhe askush nuk është lënduar flet mjaft për tendencat e pushtetit. Trajtimi selektiv i protestuesve po ashtu. Për shkak të pamjes së protestuesve kërkonim që 2 folësit të flasin nga shkallët. Në të njëjtin vend që disa protestues tjerë e kishin bërë para 3 ditësh. Fërkimet që u krijuan në fillim ishin rezultat i kërkesës për fjalim. Pas fjalimeve, i kemi realizuar aksionet simbolike dhe kemi njoftuar që kjo s’është protesta e fundit.