Molliqaj kundër vizitës së Ekaterina Trëndafilova, paralajmëron protestë në Gjilan

Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka folur për vizitën e kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, e cila më 21 shtator 2022 do të mbajë një takim me përfaqësues të shoqërisë civile në Gjilan në kuadër të Programit për Komunikim dhe Ndërgjegjësim.
Ai përmes një konference për media tha se më 21 shtator në orën 10:00, PSD do të mbajë protestë kundër vizitës së kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trëndafilova dhe kësaj gjykate.
Molliqaj gjithashtu ftoi që të marrin pjesë në protestë edhe veteranët dhe ata qytetarë që janë mbështetës të lirisë.
“Më datë 21 në orën 10:00, në vendin ku do të mbahet ky takim do të kemi protestë. Ftojmë veteranët dhe mbështetësit e lirisë, që të jemi bashkë…Protesta duhet të jetë gjithëpërfshirëse”, u shpreh kryetari i PSD-së.
Ai gjithashtu tha se kjo gjykatë është është politike dhe rrjedhimisht ka pasur në vazhdimësi veprime politike.
“Edhe më herët kishte paralajmëruar që do ta bëj këtë vizitë, ku më pas kishte thënë që kjo vizitë do të shtyhet dhe do të mbahet më datë 21, praktikisht, sot një javë, e mërkurë, ora 10:00, në Gjilan. Që nga fillimi i këtyre dhomave, e kemi thënë duke e cilësuar se kjo gjykatë është politike dhe rrjedhimisht ka pasur në vazhdimësi veprime politike. Është tërësisht e papranueshme për sistemet demokratike, ku janë të ndara pushtetet të kemi kësi lloj veprime të gjykatës. Nuk besoj që keni dëgju ndonjëherë që një gjykatë të flas për sondazhe dhe mbështetjen që ajo gjykatë e ka në sondazhe, ose në matje të opinionit publik. Unë nuk kam dëgjuar në jetën time e s’kam lexu gjykata e vendet demokratike flasin për mbështetje ose jo popullore
Sipas tij, asnjëherë nuk ka dëgjuar që gjykatat të mbajnë takime të mbyllura.
“Që edhe mediave e gazetarëve të ju imponohet që bëjnë kërkesë paraprakisht për pjesëmarrje dhe të tjerëve të ju thonë që mund të kenë linkun e transmetimit live të takimit. Kur ishte për herë të parë në Kosovë na pati ftuar që të kemi një takim të përbashkët, ndërsa kësaj radhe kur e pati lajmëru takimin ne i bëmë ftesë zyrtare dhe i shkruam Dhomave të Specializuara dhe morëm një përgjigje negative. Duke pas parasysh që proceset në këtë gjykatë janë duke shkuar në mënyrë shumë negative”, theksoi Molliqaj.
Tutje ai tha se kërkesat e kësaj gjykate janë më të larta se sa ato të Hagës për krime lufte.