16:56 / E Shtunë, 10 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Molliqaj përkujton Monin e Arbenin: S’do të ndalemi duke kërkuar drejtësi për ta!

Deputeti i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj ka përkujtuar sot dy aktivistët e VV-së që vdiqën në demostratat e vitit 2007.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se UNMIK i vrau ata dy dhe nuk mori asnjëherë përgjegjësi, transmeton Indeksonline.

Molliqaj po ashtu ka përmendur edhe aktivistin e ndjerë të Vetëvendosjes, Astrit Deharin, për të cilin ka thënë se do të kërkojnë drejtësi deri në fund.

Ja postimi i Molliqajt:

Sot përkujtojmë Mon Balajn dhe Arben Xheladinin të cilët u vranë nga policia e UNMIK-ut më 10 shkurt 2007.

Moni dhe Arbeni u qëlluan me plumba gome që kishin afat të skaduar.

UNMIK-u nuk mori përgjegjësi, përkundrazi deklaroi që forca e tyre ishte proporcionale.

Atëbotë, Qeveria e Kosovës dhe Grupi i Unitetit i përkrahën vrasjet e UNMIK-ut dhe i dënuan demonstruesit.

Policët vrastarë të UNMIK-ut u kthyen në vendin e tyre dhe u dekoruan për punën e tyre ”të mirë” në Kosovë. Aktivistët e Lëvizjes persekutoheshin nga pushteti.

Në vitin 2009, familjes Balaj dhe Xheladini iu ofrua dëmshpërblim në vlerë prej 200 mijë eurosh, me kusht që ata t’i tërheqin kërkesat e tyre për drejtësi. Natyrisht, familjarët i refuzuan, sepse ata duan drejtësi e jo dëmshpërblime.

Pas 8 vitesh, Paneli për të Drejtat e Njeriut pranë OKB-së deklaroi se demonstrata e 10 shkurtit ishte paqësore dhe se përgjegjësia për dhunën bie mbi policët UNMIK-ut.

11 vite pas kësaj demonstrate, asnjë qeveri e jona nuk ka kërkuar hetime të pavarura për rastin.

Po ashtu, institucionet përkatëse kanë pranuar një kërkesë para disa vitesh për shpalljen e Arbenit dhe Monit si dëshmorë të kombit, por ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë.

Sot, më shumë se kurrë, dëmet e Pakos së Ahtisaarit janë të prekshme dhe pengesë për Republikën e Kosovës. Situata e sotme është treguesi më i mirë për të gjithë se demonstrata e 10 shkurtit ishte e drejtë.

Moni e Arbeni e dhanë jetën për vendin tonë, e neve na mbetet që ta vazhdojmë rrugën e tyre dhe të mos ndalemi së kërkuari drejtësi për ta. Ashtu sikurse nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi edhe për Astrit Deharin.

Lavdi!

Temat: