75 Mall Live Search
21:51 / E Enjte, 15 Gusht 2019 / indeksADMonline

Molliqaj: Vetëvendosje s’guxon të shkojë e vetme në zgjedhje, e dinë që s’fitojnë

Sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje (VV), nuk guxon të shkojë e vetme në zgjedhje.

Ai këto deklarata i bëri në emisionin Debat Plus, ku përveç kësaj tha se në shtator të gjitha dilemat do të shkojnë te kutia e votimit.

Molliqaj, është i bindur që anëtarët e VV-së, nuk do të guxojnë as të ballafaqohen me përfaqësuesit e PSD-së.

“Asnjëri nga ta nuk ka pas guxim me ardh me u ballafaqu, nuk guxojnë as sot. Do të ikin edhe nga studiot televizive nga përfaqësuesit e PSD-së. Në shtator të gjitha dilemat do të shkojnë te kutia e votimit”, ka thënë Molliqaj.

“Subjekti në të cilin kam qenë jo vetëm që nuk do të mund ta mbërrijë më numrin e njëjtë, por do të luftojë për vendin e tretë ose të katërt, do të jetë në luftë për 20 deputetë. Arsyeja pse VV nuk guxon sot me shku vet është se e dinë që nuk fiton më, e din që krejt çka ka thënë i bijnë poshtë “, ka theksuar ai.

Po ashtu, ai ka deklaruar se PSD, në politikë është që ta ndërrojë shoqërinë.