75 Mall Live Search
21:23 / E Hënë, 27 Janar 2020 / indeksADMonline

Molliqaj: VV dita ditës po transformohet në një parti tipike e Kosovës e cila përdor shantazhin dhe gënjeshtrën

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj ka reaguar ashpër ndaj ish-partisë së tij, Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas Molliqajt, LVV dita e ditës po transformohet në një parti tipike e Kosovës e cila përdor shantazhin e gënjeshtrën për premtime elektorale, transmeton Indeksonline.

Për më shumë lexojeni postimin e plotë të Dardan Molliqajt:

Vetënënshtrimi

Lëvizja Vetëvendosje u krijua dhe formësua në kritikën e saj ndaj ndërhyrjes së ndërkombëtarëve në proceset e shtetndërtimit, të marrëveshjeve me Serbinë dhe të misioneve ndërkombëtare të sigurisë si UNMIK e EULEX.

Por, VV dita ditës po transformohet në një parti tipike e Kosovës e cila përdor shantazhin, gënjeshtrën për premtime elektorale, ndryshimin e parimeve për çështje mbi të cilat i ka kritikuar gjatë historikut të saj dhe heshtjen përballë dy marrëveshjeve me Serbinë ku Kosova as nuk po përfaqësohet nga institucionet e saja.

Tani ajo po shkon edhe një hap më tutje. Pikërisht VV, e cila kritikonte thellësisht ndërhyrjen e ndërkombëtarëve në krijimin e institucioneve të Kosovës pas zgjedhjeve demokratike apo përzgjedhjes së figurave shtetërore në mënyrë jo-demokratike, ajo po përfundon duke i ftuar ambasadorët e Quint-it në takim së bashku me partnerin e koalicionit. Vetëvendosje po shkel edhe parimin tek i cili është formuar e krijuar vetëm e vetëm që të arrijë të jetë në pushtet.

Duke hequr dorë nga parimet e qëndrimet, duke përdorur çdo metodë për të arritur në pushtet të cilën e ka kritikuar më herët, VV po shndërrohet në parti nga e cila shpresa e ndryshimi mund të pritet aq sa mund të pritet nga partitë që deri tani kanë qenë në pushtet.