Molliqaj për protestën e së shtunës: ZRRE-ja të hënën e kthen mbrapa vendimin

Numri i madh i njerëzve që do të marrin pjesë në protestën e së shtunës kundër propozimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike, do të bëjë që të hënën vendimi i ZRRE-së të kthehet mbrapa, ka thënë Dardan Molliqaj, kryetar i Partisë Social-Demokrate, parti kjo e cila e ka organizuar protestën.
Në një konferencë për media të premten, Molliqaj ka thënë se kërkesa e kësaj proteste është që të hidhet poshtë propozimi i ZRRE-së.
“Kemi një propozim nga ZRRE-ja që nuk është i ZRRE-së por i Qeverisë, që është jo vetëm i papranueshëm dhe i padrejtë por ka shkaktuar edhe një irritim të paparë te qytetarët pasi është shumë i shtrenjtë. Ftojmë secilin qytetarët partitë opozitare OJQ që ndan bindje të njëjta me ne sepse jemi tërësisht të bindur se numri i madh i protestuesve nesër, të hënën vendimin e ZRRE-së do ta kthejë mbrapa”, ka thënë Molliqaj.