Molotov e zjarr në protestë, 10 efektivë të dëmtuar, 3 qytetarë në spital

Protesta e opozitës në Shqipëri nuk ka kaluar pa pasoja.
Tre qytetarë janë lënduar gjatë protestës së opozitës, që po zhvillohet në kryeqytet.
Sipas informacioneve dy persona të plagosur janë dërguar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ndërsa një person i tretë është dërguar te Sanatoriumi, pasi ka shfaqur probleme me frymëmarrjen nga gazi lotsjellës.
Po ashtu mësohet se një efektiv i policisë është dërguar te Spitali i Traumës, por është jashtë rrezikut për jetën.
Policia e Shtetit njoftoi se nga protesta e opozitës dhe lëndët plasëse të hedhura në disa pika të kryeqytetit janë dëmtuar 10 efektivë.
“Që prej fillimit të tubimit një pjesë e qytetarëve në tubim sulmuan e vijojnë te sulmojnë Policinë dhe godinat e institucioneve shtetërore me molotov e lëndë plasëse. Deri në këto momente nga sulmet e qytetarëve në tubim, me molotov, lëndë piroteknike e sende të forta ndaj Policisë, janë dëmtuar 10 punonjës Policie”, thuhet në një njoftim.
Protesta po vazhdon ende dhe ka nisur që nga ora 18:00./Indeksonline/