75 Mall Live Search
09:29 / E Mërkurë, 07 Shtator 2022 / B O

Moment emocional dhe qesharak, gjyqtari del në pension, lojtari heq fanelën për ta respektuar, por…ndëshkohet!

Japonia është një vend ku mund të merrni shumë shembuj se si t’i bëni gjërat mirë. Pa dyshim, disiplina dhe mirënjohja që tregojnë zakonisht njerëzit atje është një shembull i denjë.

Dashurinë e popullit japonez e përjetoi arbitri 53-vjeçar i Tokios, Nobutsugu Murakami, në ditën e “pensionimit” të tij nga fushat e blerta, në ndeshjen mes Nagoya Grampus dhe Urawa Reds.

Arbitri japonez ka gjykuar ndeshje për 15 vite në Ligën J1, divizionin e parë të futbollit japonez. Prandaj, lojtarët nga të dyja skuadrat dhe shikuesit që u mblodhën në stadiumin “Toyota” donin t’i bënin nderime gjyqtarit në momentin e tërheqjes së tij.

Një nga momentet më emocionale, por edhe surreale, ishte kur një nga lojtarët e Urawa Reds hoqi fanellën e tij për të zbuluar një tjetër që kishte veshur poshtë, me një mesazh për arbitrin. Murakami, kur pa gjestin, u zhvendos në njërën anë dhe i tregoi lojtarit kartonin e verdhë.

Ky do të ishte paralajmërimi i fundit i karrierës së tij. Më vonë, të dy protagonistët u bashkuan në një përqafim, ndërsa u dëgjua një ovacion shurdhues në stadium.

Pasi mbaroi kjo skenë, lojtarët i kërkuan Murakamit të qëndronte në qendër të të gjithëve, në mënyrë që ta mbanin në krahë ndërsa publiku e brohoriste.

Më në fund, Nobutsugu Murakami, teksa publiku e duartrokiste dhe brohoriste, u largua nga stadiumi dhe u përball për herë të fundit me tunelin e dhomave të zhveshjes si arbitër profesionist.