75 Mall Live Search
10:49 / E Premte, 25 Gusht 2023 / L K

Momenti kur policia me aksion profesional i zë rrugën dhe e arreston personin me kërkim ndërkombëtar (Pamje)

Në Durrës është finalizuar operacioni policor i koduar “Member”, për kapjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar. 

I dënuar nga autoritetet gjyqësore italiane, me 6 vjet e 9 muaj burgim, për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe trafikim të lëndëve narkotike, kapet dhe arrestohet me qëllim ekstradimin, 39-vjeçari.  

Strukturat e DVP Durrës, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, për një shtetas në kërkim ndërkombëtar që fshihej në qytetin e Durrësit, në bashkëpunim me Interpol Tiranën, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Member”, për lokalizimin dhe kapjen e këtij shtetasi.   

Gjatë operacionit, është kapur nga shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, shtetasi Ermal (Fation) Dumo, 39 vjeç, banues në Durrës. 

Gjykata e Apelit në Trento, Itali, e ka dënuar këtë shtetas, me 6 vjet e 9 muaj burgim, për veprat penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.

Në vijim të veprimeve procedurale, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve u bë arrestimi në flagrancë i këtij shtetasi, me qëllim ekstradimin e tij drejt Italisë.

Procedurat për ekstradimin e tij do të kryhen nga Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën.