Monitorim stërvitjeve ruse/ BE: Moska dhe Minsku të përmbushin detyrimet

Bashkimi Europian po monitoron stërvitjet ushtarake të Rusisë dhe Bjellorusisë të quajtura “Zapad 2025” dhe u kërkoi dy vendeve të zbatojnë rregullat ndërkombëtare mbi transparencën ushtarake.
Zëdhënësja e Komisionit Europian, Anitta Hipper, tha se blloku po i ndjek nga afër manovrat.
Ajo i bëri thirrje Moskës dhe Minskut të përmbushin detyrimet e tyre sipas Dokumentit të Vjenës të vitit 2011 të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, i cili kërkon njoftim paraprak për aktivitetet ushtarake.
“Zapad 2025” ose “Perëndimi 2025’ po mbahet në Bjellorusi dhe Rusi dhe zgjat deri të martën. Kjo lëizje e madhe ushtarake ka ngritur shqetësim të madh në Perëndim, pasi në përfundim të këtyre stërvitjeve në vitin 2022, Rusia nisi përmes Bjellorusisë trupat në Ukrainë.
Këtë të hënë stërvitja upërfshinte mijëra trupa në verilindje të Minskut, ku të ftuara për të ndjekur manovrat ushtarake ishin edhe mediat ndërkombëtare.
Sipas ushtrisë bjelloruse, 23 vëzhgues ndërkombëtarë po monitorojnë stërvitjet, përfshirë tre përfaqësues të shteteve anëtare të NATO, 17 përfaqësues të trupit diplomatik ushtarak dhe një përfaqësues të Qendrës së OSBE-së për Parandalimin e Konflikteve.
Stërvitjet vijnë në një kohë kur Presidenti bjellorus Aleksandër Lukashenko ka bërë hapa për të përmirësuar marrëdhëniet me Perëndimin, duke përfshirë lirimin e pesëdhjetë e dy të burgosurve politikë në një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara.
“Zapad 2025” mbahet pas një ndërhyrjeje të dronëve rusë në hapësirën ajrore polake, e cila nxiti frikën e hershme se lufta në Ukrainë mund të bëhej bazë për një konflikt më të madh.