18:34 / E Enjte, 16 Dhjetor 2021 / MSH

“Monopoly” erdhi në Kosovë

Në një konferencë për media të organizuar në Prishtinë, u dha lajmi se Kosova tashmë po bëhet me edicionin zyrtar shtetëror të lojës së famshme të Monopolit.

Monopoly është loja më e shitur në botë ku deri tani janë shitur mbi 290 milionë kopje në mbarë botën, dhe është e dizajnuar në 44 gjuhë, dhe e shitur në më shumë se 113 shtete.

Deri tani, Monopoly ka krijuar edicione të ndryshme në mbarë botën, duke përfshirë edhe shumë vende të rajonit si Kroaci, Serbi, Slloveni, Mal të Zi etj. Tashmë, kompania angleze që e ka licensën e kësaj loje ka vendosur që të eksplorojë edhe vendin e të rinjve, KOSOVËN.

Zyrtari i kompanisë Winning Moves nga Anglia, zotëri Jan Jaźwiński në konferencë u shpreh se Kosova po futet në hartën e shteteve rajonale e më gjerë duke e krijuar këtë edicion special shtetëror.

“Monopoli është loja më e famshme në botë. Ne tashmë kemi krijuar
edicione në mbarë botën – nga Australia në Dubai, nga Afrika e Jugut në Poloni. Tash i erdhi koha edhe Kosovës. Jemi shumë të lumtur që ky vend kaq i bukur tashmë e ka edicionin e vet. Do të jetë shumë kënaqësi për të gjithë kosovarët” – u shpreh ai.

Fëmijët jo vetëm nga Kosova por edhe nga Diapsora do të kenë mundësi të mësojnë më shumë për bukuritë dhe pasuritë natyrore të Kosovës, monumentet kulturore e historike dhe pjesët më ikonike të Kosovës, prandaj përmes këtij projekti synohet të promovohet edhe turizmi i Kosovës në diasporë.

“Ideja e këtij projekti është që të bashkojmë familjet me fëmijë për të kaluar kohë më të gjatë duke u argëtuar dhe socializuar me njëri tjetrin, e prindërit t’i largojnë fëmijët për një kohë nga telefonat, televizori e teknologjia” – u shpreh Alban Shabani, përfaqësues i kompanisë nga Kosova që e ka të drejtën ekskluzive për këtë lojë.

Mr. Monopoly që është maskota zyrtare e lojës, arriti në Prishtinë në një event që definitivisht do të influencojë pjesën kulturore të Kosovës për një kohë të gjatë. Duke e pasur edicionin e vet të Monopolit, nuk është vetëm një lojë më shumë, por është involvim i shumë njerëzve të komunitetit në projekt.

Për më shumë, është edhe një shenjë që Kosova po i bashkohet hartës së shteteve botërore që tashmë kanë krijuar edicionet e veta të Monopolit.