75 Mall Live Search
12:30 / E Enjte, 23 Korrik 2020 / indeksADMonline

“Morali s’është në shitblerje”, polemika midis Vjosa Osmanit dhe Teuta Haxhiut për Listën Serbe

Kuvendi i Kosovës po i vazhdon punimet e seancës plenare, në të cilën ka pasur edhe polemika të vogla midis kryetares, Vjosa Osmani, dhe deputetes së AAK-së, Teuta Haxhiu.

Kjo e fundit iu drejtua Osmanit, duke thënë se duhet të marrë iniciativa të qarta kundrejt Listës Serbe dhe ato sipas saj duhet të jenë vetëm ndryshimet kushtetuese, e jo rezolutat.

“Mendimi për Listën Serbe, i imi ka qenë se ata janë me trup në Kosovë e me mendje në Beograd. Atyre duhet t’ia tregojmë vendin vetëm përmes ndryshimeve Kushtetuese. Nuk është e sinqertë dhe besoj që ki me marrë një rol të unifikimit të faktorit shqiptar, që mos t’ia japim mundësinë serbëve të bëjnë dasëm. Kisha kërkuar që ta marrësh këtë rol”, iu drejtua Haxhiu, Osmanit.

E Osmani u kundërpërgjigj, duke thënë se fjalët: “Mos shit moral” të mëhershme nga Haxhiu kanë qenë fyese për të.

“Për mua fjalë fyese ka qenë fjala “mos shit moral”, sepse morali për mua nuk është në shitblerje”, u shpreh Osmani.

E sërish reagoi deputetja e AAK-së, që tha se rezolutat janë humbje kohe dhe se nuk janë obligative për Qeverinë e Kosovës.