Mori ryshfet, arrestohet një zyrtar i administratës lokale në Gjakovë

Policia e Kosovës, Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Gjakovë, ka ndërmarrë veprime hetimore lidhur me dyshimet për veprën penale “Marrje e ryshfetit”.
Hetimet janë iniciuar pas pranimit të informatave relevante për ryshfet nga një zyrtar komunal. Në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë, është zbatuar një masë e veçantë e hetimit me urdhër të Gjykatës kompetente.
Gjatë realizimit të masës janë siguruar prova materiale që lidhen me veprën penale. Paratë që ishin objekt i simulimit janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Personi i dyshuar është intervistuar në prani të mbrojtësit të tij, ku ka vendosur të ushtrojë të drejtën për të mbetur në heshtje.
Të gjitha veprimet janë ndërmarrë në koordinim të plotë me
prokurorin kompetent. Pas intervistimit, prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim për ndalim prej 48 orësh ndaj të dyshuarit.
Hetimet janë në fazë fillestare dhe do të vazhdojnë në drejtim të ndriçimit të plotë të rastit. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e korrupsionit dhe veprimeve të paligjshme që cenojnë integritetin institucional.